Kriza po i kthen gratë e imigracionit shqiptar në “shtylla” të shtëpisë. Duke punuar si punonjëse shtëpiake, për pjesën dërrmuese të familjeve shqiptare ato janë i vetmi krahë në kohë krizash.
Ngurron të prezantohet me emrin e saj të plotë, por jo edhe të flasë për “peripecinë” e përditshme të punës së saj si ndihmëse shtëpiake këtu e 15 vjet në Greqi. Tek e fundit anonime mbetet pjesa dërrmuese e grave të imigracionit, që pa siguracion, punojnë si ndihmëse nëpër shtëpitë e vendasve, pa u përfshirë qoftë edhe në një statistikë të saktë të kontributit të tyre. “Për punën time të përditshme marr dy autobusa që të arrij në Kifisia. Atje punoj si ndihmëse në një shtëpi, si shtëpiake domëthënë”, thotë Eva dhe menjëherë sqaron indirekt pse nuk thotë dhe mbiemrin e saj. “Kam qenë arsimtare në Shqipëri. Por tashmë e kam harruar çdo të thotë të jesh arsimtare, njeri me shkollë. Se puna ime e përditshme është mes detergjenteve. Por ç`të bëj. Im shoq nuk punon. Ndërtimi në Greqi nuk ka më punë. Kam 3 fëmijë. Djali i madh ka mbaruar shkollën e lartë, por është pa punë”.
