Ka kaluar afati kohor që kryeministri grek Jorgos Papandreu i kishte dhënë ministrisë së brendshme dhe asaj të punës për t’i paraqitur paketën e re të masave për emigrantët. Bëhet fjalë për të gjithë ata shtetas të huaj të cilët për shkak të krizës ekonomike kanë humbur vendet e tyre të punës dhe si rrjedhim, e kanë të pamundur të rinovojnë lejet e qëndrimit.
Sipas burimeve nga Ministria e Punës, brenda javës që vjen, paketa e masave do të marrë rrugën e shqyrtimit të përshpejtuar dhe do të konsiderohet si një “çështje urgjente” zbatimi i menjëhershëm i saj. Nga kjo paketë e re masash do të përfitojnë vetëm emigrantët të cilët kanë patur status të ligjshëm dhe jo emigrantët e paligjshëm, të cilët erdhën në Greqi pas fushatës së fundit legalizuese të vitit 2005.
