Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut ka publikuar raportin e vëzhgimit që realizoi në Shqipëri në raport me ngjarjet e 21 Janarit. Në këtë dokument thuhet se misioni u krye nga datat 13 deri në 15 shkurt të vitit 2011.
Sakaq, në raportin special thuhet se më 21 Janar, pak pasi demonstruesit u grumbulluan përpara godinës së Kryeministrisë, një dhunë shpërtheu midis një grupi disa qindar njerëzish dhe forcave të policisë që rrethonin godinën. “Ka perceptime të ndryshme dhe konfliktuale me njëri-tjetrin sa i takon asaj që vërtet ka ndodhur dhe se si situate u agravua në një spirale që e nxori jashtë kontrolli. Palët politike ofrojnë perceptime të ndryshme rreth pyetjes së kush e provokoi shpërthimin e dhunës, demonstruesit apo policia. Referuar qeverisë protesta u organizua nga opozita me qëllim marrjen me forcë të qeverisë, ndërsa opozita thotë se ishte policia ajo që provokoi protestuesit ende pa nisur tamam protesta”, thuhet në raportin special.




