e mërkurë, 16 shkurt 2011

Parlamenti Evropian u vë “fre” medikamenteve të falsifikuara



Asambleja e Parlamentit Evropian miratoi sot në Strasburg me 569 vota pro, 12 kundër dhe 7 abstenime, raportin Matias, deputet i së Majtës së Bashkuar Evropiane, në lidhje me medikamentet false.
Medikamentet e falsifikuara zënë vend gjithnjë e më shumë në rrjetin e ligjshëm të shpërndarjes dhe llogaritet që xhiroja vjetore e industrisë së paligjshme të arrijë në kuotën e 45 miliardë eurove! Vetëm gjatë vitit 2008, u konfiskuan në Bashkimin Evropian 34 milionë tableta të falsifikuara, kryesisht medikamente antikancer, antibiotikë, tableta për luftimin e xhrregullimeve të tensionit si dhe kundër kolisterolit të lartë, shumë kjo që reflekton në një rritje prej 380% në krahasim me vitin 2005.

Rritja e çmimit të ushqimeve ka varfëruar 44 milion njerëz



Drejtuesi i Bankës Botërore thotë se një rritje drastike e çmimeve të ushqimeve ka shkaktuar kalimin e 44 milion njerëzve në varfëri të tejskajshme.
Presidenti i Bankës Botërore Robert Zoellick tha se grupi i 20 ekonomive më të zhvilluara dhe në zhvillim duhet ta bëjnë ushqimin përparësinë e tyre kryesore.
Duke folur përpara takimit të ministrave të financës së G-20 këtë javë në Paris, Zoellick tha se indeksi i çmimeve të ushqimeve të Bankës Botërore është 3% më poshtë se pika kulminante e arritur në vitin 2008, ku plasën trazirat për ushqim në disa vende anembanë botës. Ai tha se ndërsa çmimi i produkteve ushqimore nuk ishte burimi kryesor i trazirave në Afrikën Veriore, kjo çështje ishte një faktor përkeqësues.

Iran: Maxhoranca kërkon dënimin me vdekje të udhëheqësve opozitarë



Në Iran, anëtarët e parlamentit po kërkojnë dënimin me vdekje për udhëheqësit e opozitës, që organizuan dje manifestime anti qeveritare në disa qytete të vendit. Ligjvënësit konservatorë thanë sot se udhëheqësit e opozitës, Mir Hosein Musavi dhe Mehdi Karrobi duhet të gjykohen për kryengritje, shkelje që dënohet me vdekje.
Dy udhëheqësit reformatorë të opozitës kishin bërë thirrje për manifestimet e djeshme në Teheran dhe gjetkë për të treguar solidariteet me kryengritjet në vendet arabe kundër qeverive autoritare.
Opozita në Iran thotë se me sa duket forcat e sigurimit arrestuan qindra veprimtarë anti qeveritarë, duke shtypur kështu manifestimet e djeshme.

BE ndihmon Tunizinë



E ngarkuara e BE-së me politikën e Jashtme Catherine Ashton, gjatë një vizite të saj në Tunizi, i premtoi qeverisë kalimtare ndihmë emergjente prej 17 milionë eurosh.
Qeveria tuniziane pati hedhur poshtë propozimin e Italisë, për dërgimin e policëve të saj në këtë vend të Afrikës së Veriut në përpjekje për të ndalur vërshimin e mijëra refugjatëve në drejtim të Italisë. Kjo ështe e papranueshme, tha zëdhënësi i qeverisë tuniziane Tayeb Baccouche, duke shtuar se kontrollin e bregdetit  e kanë në dorë autoritetet tuniziane.
Ministri i Brendshëm italian Roberto Maroni kishte njoftuar se do t’i kërkojë qeverisë së përkohshme në Tunizi leje për stacionimin e përkohshëm të policëve italianë në territorin tunizian. Me qëllim që të pengohet që refugjatë e tjerë të marrin rrugën drejt Evropës.

Autostrada Tiranë – Elbasan, sigurohen 400 milionë dollarë kredi



Një financim prej 400 milionë dollarësh ka arritur të sigurojë qeveria shqiptare nga bankat arabe, duke zgjidhur kështu problemin kryesor për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan me një gjatësi prej 31.7 km, përgjatë së cilës shtrihet edhe një tunel me gjatësi 4.2 km.

Belgjika përgënjeshtron Bashën: 16 kërkesa azili vetëm në Janar



Komisariati i Përgjithshëm i Refugjatëve dhe Apatrideve në Belgjikë, instanca që mban statistikat e azilantëve, nxjerr blof Ministrin e Brendshëm shqiptar Lulzim Basha.
Sipas faqes informative lajmifundit, vetëm për muajin Janar 2011, 16 shtetas shqiptarë kanë kërkuar azil vetëm në Belgjikë, duke cituar qartë se bëhet fjalë për shtetas të Shqipërisë.
Po sipas këtyre statistikave, në Belgjikë gjatë tre viteve të fundit numri i aplikimeve për azil politik, varion si më poshtë:

Jemen: Protestuesit kërkojnë largimin e presidentit



Protestat e mijëra studentëve dhe avokatëve në kryeqytetin e Jemenit vazhdojnë për të dytën ditë me radhë, duke kërkuar dorëheqjen e presidentit Ali Abdullah Saleh.
Dëshmitarët thonë se forcat e sigurisë e kanë penguar turmën që të tubohet në sheshin Al-Tahrir, ndërsa ditën e djeshme policia i shpërndau mijëra protestuesit që marshuan në kryeqytetin Sana.
Njëkohësisht, presidenti Saleh ka shtyrë vizitën e planifikuar për në Shtetet e Bashkuara, për t’u përballur me sfidat që i kanosen nga protestuesit në vendin e tij.

“Karton i kuq” për publikimin e të dhënave tatimore



Autoriteti i Pavarur për Mbrojtjen e të Dhënave me Karakter Personal arriti në konkluzionin se publikimi i të dhënave ekonomike të personave fizikë dhe të taksave që u vendosen atyre, nuk përbën një masë të nevojshme, të përshtatshme dhe efikase për luftimin e evazionit fiskal.
Konkretisht, Autoriteti i Pavarur i ka dërguar Ministrisë së Ekonomisë raportin lidhur me publikimin në internet të katalogut të deklaratave tatimore.

e martë, 15 shkurt 2011

Gjermania shqyrton rekrutimin e të huajve në ushtri



Ministria gjermane e mbrojtjes ka konfirmuar informacionet se ministria e Mbrojtjes po shqyrton mundësinë e rekrutimit të shtetasve të huaj që jetojnë në Gjermani, për të shërbyer në forcat e armatosura gjermane.
Pasi shërbimi i detyruar ushtarak në Gjermani u eleminua vetëm pak kohë më parë, ministria e Mbrojtjes në Berlin nuk është ende në gjendje të thotë nëse do të ketë mjaftueshëm vullnetarë gjermanë për t’i mbushur radhët e ushtrisë. Gjermania duhet të ketë mjaftueshëm trupa për të plotësuar detyrimet e saj në një numër misionesh ushtarake jashtë vendit, të drejtuara nga BE ose NATO-ja.

Pas heqjes së vizave, asnjë shqiptar nuk ka kërkuar azil


Autoritetet shqiptare bënë sot të ditur se rreth 127 mijë qytetarë kanë udhëtuar pa viza gjatë dy muajve të fundit në vendet e zonës “Shengen”, por asnjë prej tyre nuk ka kërkuar strehim politik. Ministri i Brendshëm Lulëzim Basha, deklaroi sot në një takim me policinë kufitare dhe me agjencitë turistike se “hyrjet dhe daljet e udhëtarëve pa viza janë në një ritëm të zakonshëm”. Zoti Basha tha se brenda dy muajve nga 15 dhjetori kanë udhëtuar 127 mijë qytetarë dhe “një e treta e tyre janë kthyer në atdhe më herët, duke përgënjeshtruar parashikimet e skeptikëve për largime masive”.

Ku fillon Enveri dhe ku mbaron Saliu



Nga Filip Çakuli
Duke dëgjuar përditë Sali Berishën të bërtasë për puçe dhe grusht shteti, instinktivisht kërkova veprat e udhëheqësit të tij shpirtëror dhe politik, shokut Enver.
Lexo prognozat e tij për grupet puçiste antiparti, për komplote për eliminimin fizik të tij dhe dëgjo Kryeministrin për të njëjtën temë, të duket sikur ngatërrohesh e nuk e kupton: ku fillon Enveri e ku mbaron Saliu. Ndoshta jam shprehur gabim, se duket që Enveri është i pari, i dyti është kopja e keqe e tij.

Shkupi kërkon nga Facebook të ndërpresë funksionin e grupeve që nxisin dhunën ndëretnike



Ministria e Jashtme e FYROM-it kërkoi nga administratorët e Facebook-ut të ndërpresin funksionimin e grupeve internetike që u formuan ditët e fundit, me temë nxitjen ose dënimin e ngritjes së kishës-muze në kalanë e Shkupit, pasi dolën në pah komente që nxisin konfliktin ndërfetar dhe ndëretnik.
Ministria e Jashtëme e FYROM-it, ftoi gjithashtu të gjithë përdoruesit e faqjeve të komunikimit shoqëror, ti shmangen retorikës së urrejtjes dhe të ndalojnë ftesat për përdorim dhune, pasi do të merren të gjitha masat për parandalimin e qëllimeve të tilla.

Greqia merr 390 milionë euro



Greqia ka marrë 390 milionë euro në tre muaj me një taksë interesi prej 3.85 për qind, më e ulët krahasuar me emetimin e obligacioneve të 18 janarit.
Emetimi është nënshkruar më shumë se pesë herë, me një kërkesë totale prej 1.525 miliardë euro për një ofertë fillestare prej 300 milionësh.
Më 8 shkurt vendi kishte mbledhur 390 milionë euro në formë obligacionesh në tre muaj, me një normë interesi prej 4.64 për qind kundrejt 4.90% që ishte në operacionin e mëparshëm.
Javën e kaluar trojka BE-FMN-BQE akordoi ndihmën e radhës për shtetin helen, të cilin gjithësesi e ironizoi duke i sugjeruar që të shesë pjesë të territorit për të mbledhur lekët e borxhit.

Minoriteti serbo-malazez: Ndryshimi i kombësisë e drejtë legjitime



SHKODER
Vetëdeklarimin e kombësisë dhe ndryshimin e saj kanë mbështetur  përfaqësuesit e minoritetit serbo-malazezë në Shqiperi.
Kryetari i shoqatës serbo-malazeze Moraca – Rozafa në Shkodër, Pavlo Janku, ka thënë për News24 se, vetëdeklarimi dhe ndryshimi i kombësisë është një e drejtë legjitime e gjithësecilit.

110 biznese greke në Shqipëri



Grekët zotërojnë sektorët kryesorë të shërbimeve siç janë furnizimi me lëndët djegëse dhe mallrat e konsumit të përditshëm.
Kompanitë greke janë shndërruar në aktore të para të ekonomisë shqiptare me 50 për qind të totalit të investimeve të huaja në Shqipëri.
Qindra milionë euro të konsumatorëve shqiptarë në tregun e telefonisë apo qindra milionë të tjerë të tregut bankar përfundojnë te kompanitë mëma në Athinë, duke ndihmuar në ekonominë greke, po aq sa puna dhe kursimet e 1 milionë emigrantëve shqiptarë, që aq shumë kanë dhënë për ekonominë greke në këto dy dekada, raportoi gazeta “Shekulli”.

U kalon Qarqeve “Karta e Emigrantit”



Muajt në vijim shërbimet e Qarqeve, konform direktivave të programit “Kalikratis”, do të jenë gati të menaxhojnë “Kartën e Emigrantit”.
Sipas “arkitekturës” së programit, kompetencat për çështjet e emigracionit të ligjshëm i kalojnë gradualisht Pushtetit Qarkor të Shtetit me qëllim përfundimtar  t’u jepen atyre ekskluzivisht të gjitha kompetencat e duhura.
Në bashkitë e vendit, krijohen Këshillat e Integrimit të Emigrantëve (KIM), të cilat do ti japin shtysë integrimit të emigrantëve që jetojnë e punojnë në qarkun që ato bëjnë pjesë.
Në vazhdim, në vend të procedurave të sotme të komplikuara, ku disa instanca shtetërore merren me dhënien e lejes së emigrantëve, do të funksionojnë “shërbimet me një stacion për emigrantët”. Rezultat i kësaj do të jetë dhënia e shpejtë, e pa implikuar dhe e sigurtë e lejeve të qëndrimit në formën e “Kartës së Emigrantit”, por edhe reduktimi i dukshëm i ecejakeve të të interesuarve.

Hynë në fuqi vendimi ndërministror për heqjen e makinave të vjetra nga tregu



Ka hyrë në fuqi vendimi ndërministror për heqjen graduale nga tregu të makinave të vjetra në Greqi.
Të gjitha detajet për procedurën e heqjes nga tregu të autoveturave parashikohen në vendimin e përbashkët ministror i cili tashmë është botuar në Gazetën Zyrtare.
Procedura e heqjes sipas vendimit do të zgjasë deri më 20 Dhjetor 2011 dhe në të do të përfshihen rreth 2.500.000 automjete për të cilat është lëshuar leje qarkullimi në Greqi deri në 31 Dhjetor 1998.
Kusht për përfshirjen në këtë procedurë është pagimi i taksës së qarkullimit rrugor për vitin 2011 si dhe shlyerja e borxheve të tjera të mëparshme.

Me procedura urgjente, dërgohet në gjyq Berluskoni



Gjykatësja milaneze, e ngarkuar për hetimet paraprake Cristiana De Ceno vendosi të dërgojë në gjykatë me procedurë urgjente kryeministrin italian Silvio Berluskoni, me akuzën e “bashkëpunimit në prostitucion të miturish dhe shpërdorim detyre”.
Seanca e parë gjyqësore u vendos për në datën 6 Prill. Kjo konsiderohet si fitore e gjykatësve të Milanos, të cilën patën kërkuar gjykimin e menjëhershëm të Berluskonit për të dyja akuzat. “Nuk prisnim diçka ndryshe”, ishte komenti i parë i avokatëve të kryeministrit italian.
Silvio Berluskonit, tashmë do ti duhet të përgatisë një strategji të hollësishme mbrojtjeje, që të justifikojë rolin e tij si kryeministër por edhe si qytetar i thjeshtë italian, në skandalin “Rubi Gejt”.

Qarkore: Rinovimi i lejes së qëndrimit, pa ensima



Një mundësi më shumë ofron qeveria greke për të gjithë emigrantët të cilët nuk disponojnë ensimat e domosdoshme për rinovimin e lejes së qëndrimit. Bëhet fjalë për rastet kur punëdhënësit nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre siguruese, d.m.th. nuk kanë paguar ensimat. Vetëm se në këtë rast emigrantët do të duhet të plotësojnë Deklaratën e Mosmarrëveshjes.
Qarkoren, që i jep zgjidhje kësaj çështje, e ka nënshkruar këto ditë zëvendësministrja e Brendshme Theodhora Xakri dhe në të parashikohet:

Propozim për statusin “nën tolerancë” për emigantët



Eshtë gjetur më së fundi një zgjidhje edhe për emigrantët që kanë hyrë në grevën e urisë në Athinë.
Sipas informacioneve nga ministria e Brendshme, shumë shpejt pritet të propozohet dhënia e statusit “nën tolerancë” për këtë kategori shtetasish të huaj.
Ky status parashikon dhënien e lejes speciale të qëndrimit e cila do t’u japë mundësi emigrantëve të qëndrojnë legalisht në Greqi dhe më pas të kërkojnë mënyra të ligjshme për punësim.