e martë, 9 nëntor 2010

Dështimi i pritshëm: Shqipëria nuk përmbush kushtet për statusin e vendit kandidat


Komisioni europian njoftoi sot se Shqipëria nuk i ka përmbushur kushtet për të marrë statusin e vendit kandidat. Vendimi është bërë sot i ditur në Bruksel dhe ai shoqërohet nga një analizë e detajuar e zhvillimeve në të gjitha fushat në Shqipëri. Vendimi vjen një ditë pasi dje bashkimi europian miratoi heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë dhe ata boshnjakë.
Komisioni Europian ka përpiluar një dokument voluminoz prej 120 faqesh ne të cilin ai analizon në mënyrë të detajuar të gjitha zhvillimet në Shqipëri dhe përputhshmërinë me kriteret e Kopenhagenit. Ndër to siç edhe është paralajmëruar disa herë, të një rëndësie të veçantë janë kriteret politike, ku duket se në pjesën më të madhe të tyre Shqipëria ka ngelur në klasë.
”Efikasiteti dhe qëndrueshmëria e institucioneve demokratike nuk është përmbushur në mënyrë të kënaqshme. Institucionet dhe procedurat parlamentare nuk funksionojnë si duhet” vëren komisioni sipas të cilit “Parlamenti nuk ushtron mbikqyrje efektive dhe kontroll mbi qeverinë. Dialogu politik është konfrontues dhe jo konstruktiv, jo vetëm për shkak të ngërcit politik që zgjat që prej zgjedhjeve të 2009”. Qeveria dhe opozita ndajnë përgjegjësinë për arritjen, përmes një rruge transparente dhe në respekt të kushtetutës, zgjidhjet e duhura për ecjen e vendit drejt integrimit europian, cilëson Komisioni. Situata aktuale politike sipas komisionit rrezikon polarizimin e thellë dhe të tejzgjatur me pasoja serioze përsa i përket aftësisë së klasës politike për arritjen e kompromisit dhe gjetjen e konsensusit për reformat kyce.