e mërkurë, 23 shkurt 2011

Inva Mula befason artdashësit kinezë



Sopranoja me famë botërore Inva Mula ka fituar përsëri duartrokitjet dhe admirimin e artdashësve kinezë, këtë herë me interpretimin e shkëlqyer në rolin e Violetës, në operën “Traviata” të Xhuzepe Verdit.
Vënë në skenë nga Teatri Nacional i Artit në Pekin, në një version krejt të ri, nga Henning Brokhaus, regjisor dhe dramaturg i famshëm gjerman, opera e njohur e Verdit ka qenë një surprizë e bukur për sopranon shqiptare, e cila përveç një skene moderne dhe origjinale, ka gjetur si pjesë të ekipit edhe mjeshtrin e madh të këngës lirike, baritonin spanjoll Huan Pons, me të cilin ka pasur disa bashkëpunime.
Inva Mula ka interpretuar në rolin e Violetës në dy shfaqje, ku natën e parë ka pasur si partner në rolin e Alfredos, tenorin e ri, por të spikatur italian, Leonardo Caimi dhe Huan Pons në rolin e babait të Alfredos.
Ndërsa në natën e dytë, përkrah Inva Mulës kanë interpretuar dy nga artistët më të shquar kinezë të Teatrit të Operës, Ding Yi dhe Liao Chaoyong. Siç është shprehur vetë Inva për shtypin e atjeshëm, produksioni i “Traviatës” nga Teatri Nacional i Pekinit ka qenë një ndër më të mirët që janë vënë në skenat botërore.
Një ndër risitë e tij ka qenë efekti i veçantë vizual, me skenën që ndryshohej si në një prodhim kinematografik, ndërsa një pasqyrë 246 m2 në sfond, siç thotë Inva, për herë të parë i ka dhënë mundësinë që njëkohësisht me spektatorët, të shikojë edhe interpretimin e saj, duke krijuar një kontakt më të afërt me publikun.
Media kineze e ka vlerësuar si surprizën më të madhe dhe më të bukur pjesëmarrjen e sopranos shqiptare në rolin e Violetës në operën “Tranviata” dhe është ndalur gjatë në karrierën e saj artistike, duke theksuar faktin se Inva Mula ka lindur dhe është formuar si artiste në Shqipëri, në një familje artistësh, ndërsa sot, në gati 30 vjet të jetës artistike, ajo ka arritur majat më të larta të operës botërore, duke interpretuar përkrah artistëve më të mëdhenj në skenat më të famshme të botë.

Nuk ka komente:

Posto një koment