e shtunë, 22 janar 2011

6 arreste per vrasjen nga kryeministria!

TV NEWS24 fokuson pamjet e vrasjes së njërit prej protestuesve para derës së kryeministrisë. gjatë protestës së dhunshme anti-qeveritare të organizuar dje nga Opozita e Bashkuar para selisë së kryeministrisë në bulevardin "Deshmoret e Kombit". Ndërsa jashtë kangjella të kryeministrisë, (nga piramida) qëndrojnë demonstruesit nga brenda ambjenteve të selisë qeveritare qëllohet me armë. Nga mënyra se si ka rënë në tokë viktima, kuptohet se plumbi që i mori jetën të ketë ardhur nga brenda oborrit të kryeministrisë.

Kamera fokuson momentin kur një ushtar i ulur në gjunjë në krah të godinës së kryeministrisë qëllon me automatik dhe një demonstrues bië në tokë mbrapsht.
Burri bie në tokë pa ndenja dhe merret në krahë nga demonstruesit e tjerë. Viktima mendohet të jetë 42 vjecari nga Gjirokastra Ziver Veizi. Ndërkaq jo shumë metra larg tij, kamera e NEWS24 fokuson dhe një tjetër të ri të shtrirë buzë trotuarit, ndërsa të tjerët përpiqen të vijnë në ndihmë.


Tre të vdekur dhe 61 të plagosur rëndë është bilanci i përleshjeve të ashpra mes demonstruesve dhe forcave të rendit. Nga të plagosurit rëndë, por pa rrezik për jetën, janë 31 civilë dhe 27 policë. Viktimat jane Faik Myrto, 50-vjeç nga Fieri Ziver Veizi, 48 vjeç nga Gjirokastra Hekuran Deda nga Dibra. Mes të plagosurve është dhe gazetari Fatos Mahmutaj, i cili ka marrë një plumb në krah.

PROKURORIA, URDHËR ARRESTI PËR 6 DREJTUES TË GARDËS 

Është krim të jesh opozitar?


Nga Mustafa Nano
Ora është 19.30. Agjencitë e huaja të lajmeve kanë zënë ta vënë si lajm të parë atë që ndodhi sot në Tiranë. Ndërsa ne të këtushmit jemi duke bërë bilancin e ditës. Janë tre të vrarë. Policia shqiptare pra ka vrarë tre vetë. Dhe ka lënduar disa dhjetra. Deri tani nuk ka folur asnjë nëpunës i shtetit, aq më pak ndonjë dinjitar i lartë, për këta tre shqiptarë, që nuk jetojnë më. Askush nuk jep një version zyrtar të ngjarjeve tragjike; askush nuk shpjegon rrethanat; askush nuk shkon në spital të interesoshet për të plagosurit. Dhe nuk ka se si të shkojë, pasi ata shqiptarë janë vrarë e plagosur për krimin e vetëm që kanë qënë opozitarë. Në vitin 2011 në Shqipëri është krim të jesh opozitar. Por vini re: jo krim që ndiqet penalisht në shkallët e sallat e gjykimit, por krim që ndëshkohet aty për aty, me vendim snaiperash. Nuk është kështu, zotërinj të policisë? Na jepni versionin tuaj, atëherë! Na shpjegoni pse u vranë këta të tre! Çfarë ishin duke bërë kur u vranë? Ishin duke linçuar ndokënd? Kishin vënë poshtë ndonjë polic, dhe po e mbysnin apo po i zinin frymën? Duhet një shpjegim. Duhet shpjegimi, jo për të marrë vesh ndonjë rrethanë që justifikon egzekutimin e tre shqiptarëve (nuk ka rrethana të tilla në ngjarjen e sotme; vërtet, është e përligjur të vrasësh dikë që po qëllon me gurë kundër policëve?), por për të marrë vesh se vrasjet janë bërë me logjikë të ftohtë kriminale.