e diel, 8 gusht 2010

Përpjekje për ndryshim të rezolutës serbe

OKB
Rezoluta serbe u paraqit në Nju Jork më pak se një javë pas mendimit të dhënë nga GJND-ja

Përpjekjet për ndryshimin e projekt rezolutës serbe që u dorëzua në OKB, vetëm një javë pas vendimit të Gjykatës së Drejtësisë, vlerësohet të kenë hyrë në një fazë të ndërlikuar.
Autoritetet serbe, megjithëse janë deklaruar të hapura për diskutime, kanë këmbëngulur në qëndrimin e mos përfshirjes së vendimit të GJND-së në tekstin e projekt rezolutës së tyre përveç, siç thuhet, marrjes në dijeni të këtij mendimi.
BE-ja thotë se është në dijeni të projekt rezolutës serbe dhe zyrtarë të saj kanë deklaruar se po bëjnë përpjekje për të bashkërenduar qëndrimet me Beogradin zyrtar për ndryshime në përmbajtjen e saj, duke insistuar në njohjen e vendimit të GJND-së dhe hapjen e bisedimeve mes Prishtinës e Beogradit, për çështjet e interesit të përbashkët, por jo edhe të statusit të Kosovës.
Qëndrimi i një numri vendesh anëtare të BE-së dhe Washingtonit zyrtar u është bërë i qartë autoriteteve serbe, se vendimi i GJND-së mbyll çështjen e statusit të Kosovës dhe ai, sipas tyre, hap perspektiva të reja për të dyja vendet.
Megjithatë ka zëra që thonë se BE-ja po mundohet të arrijë një pajtueshmëri edhe me të 27 vendet anëtare të saj, që në rast të dështimit të paraqitjes së një qëndrimi të përbashkët me Serbinë, të shtyjë një projektrezolutë të saj, që siç vlerësohet, do të ndërlikonte punimet e vetë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Mendohet gjithashtu se në rast të mos arritjes së pajtueshmërisë me Beogradin zyrtar, projekt rezoluta e dytë që do të mund të paraqitej në Asamblenë e Përgjithshme do të ishte ajo e sponsorizuar nga Shqipëria dhe ndonjë vend tjetër anëtar i OKB-së.
Autoritetet në Prishtinë ndërkaq thonë se janë të gatshme për veprime konkrete në prag të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme, por gjithnjë në bashkërendim me shtetet që tashmë e kanë njohur pavarësinë e saj.

BBC
 

Nuk ka komente:

Posto një koment