![]() |
![]() | ![]() |
Belgjika ka presidencën e radhës të Bashkimit Evropian |
Ministri i jashtëm i Belgjikës,Steven Vanackere, vendi i të cilit ka presidencën e Bashkimit Evropian, i tha BBC-së se nuk janë shuar të gjitha gjasat që të arrihet një konsensus me Beogradin për një projektrezolutë të përbashkët në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Ai tha se BE-ja dëshiron që të arrijë një pajtueshmëri për disa ndryshime në tekstin e projektrezolutës serbe, që çojnë kah logjika e një rezolute jokonfrontuese në Asamblenë e Përgjithshme.
Qeveria e Serbisë ka dorëzuar në OKB një projektrezolutë, e cila ka ngjallur reagimin e një numri vendesh të BE-së dhe SHBA-së.
Ajo kërkon hapjen e një dialogu me Prishtinën për të gjitha çështjet e hapura.
Megjithëse nuk e përmend drejtpërdrejt statusin, projektezoluta serbe vlerëson se shkëputja e e një terrotori nuk është i pranueshëm për 'zgjidhje territoriale'.
Ministri i jashtëm belg tha se nuk janë të dobishme idetë për bisedime rreth statusit të Kosovës, por vlerësoi se një dialog politik mes Prishtinës e Beogradit duhet të vendoset për çështje praktike me interes të përbashkët.
Në një bisedë për BBC-në ai tha se BE-ja e ka inkurajuar Shkupin zyrtar që të vazhdojë me procesin e reformave, duke insistuar në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit për të forcuar stabilitetin në vend.Ndërkohë, duke iu referuar krizës politike në Shqipëri, zoti Vanackere tha se ajo po ndikon negativisht mbi imazhin e Shqipërisë në Evropë.
Korrespondenti i BBC-së në Prishtinë, Arbër Vllahiu, zhvilloi bisedën me ministrin e jashtëm të Belgjikës, Steven Vanackere.
BBC: Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, Serbia ka paraqitur një projektrezolutë të saj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për bashkërendim të hapave. Si e keni parë ju në Bruksel këtë veprim të Serbisë?
Steven Vanackere: Mendoj se të dyja palët, që ishin më të interesuarat, kanë reaguar me shumë maturi pas mendimit këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Po të kemi parasysh që për disa mendimi i gjykatës se nuk kishte patur shkjelje ligjore në shpalljen e pavarësisë së Kosovës ishte disi i papritur, mund të themi se reagimet e palëve kanë qenë të matura. Nga Kosova nuk pamë të shprehej ndonjë ndjenjë triumfalizmi. Mendoj se edhe reagimi i Serbisë ishte i matur. Në thelb, Bashkimi Evropian thotë se pas procesit ligjor, duhet të ketë një proces të ri dialogu dhe logjike politike. Ky duhet të jetë fillimi i një procesi ku është e qartë se e ardhmja e të dyja vendeve është në Bashkimin Evropian. Është e rëndësishme që palët të mos merren me të kaluarën dhe ta kuptojnë se ekziston një perspektivë e përbashkët evropiane për të dyja vendet.
BBC: Si i shihni lëvizjet e Serbisë tani me këtë projektrezolutë përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së?
Steven Vanackere:Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton, është në kontakt të vazhdueshëm me Serbinë për të rënë dakord për disa ndryshime që çojnë kah logjika e një rezolute jokonfrontuese në Asamblenë e Përgjithshme, një reozolutë që do të ishte një sinjal i fortë për të ardhmen e Serbisë dhe Kosovës. Ne po përpiqemi që ta shfrytëzojmë sa më mirë këtë mundësi në mënyrë që të ecim përpara, jo të shohim prapa.
BBC: A mund të shohim dy projektrezoluta në Asamblenë e Përgjithshme, njëra nga Serbia dhe tjetra nga BE-ja?
Steven Vanackere: Ky nuk do të ishte një zhvillim pozitiv. Idealisht ne duhet të mendojmë një skenar me një rezolutë të vetme. Unë nuk i kam prerë shpresat për mundësinë e arritjes së një rezolute për të cilën të ketë konsensus.
BBC: A i përjashton BE-ja bisedimet për statusin e Kosovës?
Steven Vanackere: Të vazhdosh të flasësh sot për statusin e Kosovës nuk është gjëja më e mirë që mund të bësh. Ka shumë çështje që duhen zgjidhur dhe mendoj se dialogu politik është instrumenti më i mirë për këtë.
BBC: A është Bashkimi Evropian i gatshëm që të ndërmjetësojë në dialogun mes Prishtinës e Beogradit?
Steven Vanackere: Këtë qëndrim e bëri menjëherë të qartë Catherine Ashton në emër të 27 vendeve anëtare të BE-së, kur tha se ne besojmë se dialogu është e vetmja rrugë përpara dhe Bashkimi Evropian është i gatshëm që të ndihmojë për krijimin e një atmosfere dhe situate që e inkurajon këtë dialog.
BBC: Zoti ministër, janë pesë vende anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës. A mund të dëmtojë kjo perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit e, në veçanti, të Kosovës?
Steven Vanackere: Le ta themi ashtu siç është. Nuk është situatë ideale kur sheh se në një organizatë si Bashkimi Evropian ka dallime. Sigurisht, kjo nuk është një situatë perfekte. Por, edhe pse pesë vende anëtare nuk e kanë njohur Kosovën, ishte e qartë se menjëherë pas vendimit, apo më mirë, opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ne arritëm të dalim me një deklaratë unanime në emër të të 27 anëtarëve.
BBC: Meqë e përmendëm perspektivën evropiane për Ballkanin, a është e gatshme BE-ja që të bëjë kompromis me Serbinë, për të përshpejtuar anëtarësimin e saj në BE, pas vendimit të GJND-së?
Steven Vanackere:Në pyetjen tuaj ka disa elemente të ndryshme. Unë po filloj duke thënë se në samitin e Sarajevës, vendet anëtare të Bashkimit Evopian e konfirmuan në mënyrë të qartë se ambiciet dhe e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është që një ditë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Ky është një proces i pandalshëm. E di që ka nga ata që besojnë se Bashkimi Evropian është lodhur nga procesi i zgjerimit, madje ka vende që mendojnë se zgjerimi nuk është më prioritet i BE-së. Por, unë mund t'ju konfirmoj se përsa i përket presidencës belge të BE-së, nga kontaktet që kemi patur me kolegët tanë, kemi vënë re që nuk ekziston ndonjë shenjë lodhjeje nga procesi i zgjerimit. Ne duam që të shënojmë përparime të mëtejshme në këtë rrugë, përfshirë edhe Serbinë
BBC: Por kush e përcakton këtë perspektivë? Kosova përcakton perspektivën e Serbisë apo Serbia të Kosovës?
Steven Vanackere:Që t'i përgjigjem pyetjes suaj, dua që të theksoj se nuk do të ketë diçka të tillë si trena të zgjerimit të BE-së, anëtarësim në çifte, apo varësi të momentit të anëtarësimit të një vendi nga ajo që ndodh me vendet e tjera të rajonit. Secili vend e ka fatin në duart e veta. Anazila që bën Komisioni Evropian dhe secili nga vendet anëtare në përfundim të procesit, bazohet mbi meritat e vendit kandidat, jo në logjikën e kalendarit apo të çiftëzimit të vendeve. Në rastin e Serbisë, rekomrandimet tona për hapat që duhen hedhur për avancimin e procesit të anëtarësimit, janë të qarta. Ne kemi kërkuar reforma të brendshme, shtimin e nivelit të bashkëpunimit me Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës, vazhdimin e kontributit për bashkëpunimin rajonal. Ashtu si vendet e tjera të Ballkanit, Serbia e ka të ardhmen e saj në duart e veta, prandaj duhet të hedhë hapa të mëtejshëm në këto fusha.
BBC: Le të kthehemi sërish tek dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit. Kur mendoni se duhet të fillojë ky dialog për çështjet praktike?
Steven Vanackere: Kur? Çështja nuk shtrohet se kur, por se për çfarë do të jenë të gatshme të dyja palët të diskutojnë. Fjala është për vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta mes Beogradit dhe Prishtinës për çështje shumë praktike me interes të përbashkët, çështje që ndikojnë në jetën e përditshme të të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga përkatësia etnike. Pra, mund të flitet për nisma bashkëpunimi, për kontrollet doganore, bashkëpunimin e forcave të policisë dhe organeve të drejtësisë, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare, kthimin e personave të zhvendosur, apo rindërtimin. Këto aspekte janë jo vetëm shumë të rëndësishme për perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por ato janë në interesin e qytetarëve në Serbi dhe Kosovë. Prandaj, duhet të theksoj se fillimi i dialogut është në interes të përbashkët. Besoj se udhëheqësit në Prishtinë dhe Beograd do të jenë në gjendje që ta fillojnë këtë dialog.
BBC:Zoti ministër, BE-ja ka diskutuar edhe për përparimin e Maqedonisë. Jeni ndarë të pakënaqur. Cilat janë problemet me të cilat po përballet ky vend këto ditë?
Steven Vanackere: Ne patëm një takim shumë të mirë pak ditë më parë, të martën e kaluar, në këshillin e stabilizim-asociimit. U takova për herë të dytë me homolohun tim maqedonas, Antonio Milloshovski, bashkë me Komisionerin për Zgjerimin Stephen Fule. Vumë re se ka patur një lloj progresi. Kujotj se nga fundi i vitit të kaluar u krijua përshtypja se Maqedonia po bënte disa hapa të vegjël prapa. Ne e inkurajojmë Shkupin të vazhdojë me procesin e reformave, duke insistuar në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit për të forcuar stabilitetin në vend. Takimi që pata me ministrin e jashtëm maqedonas tregoi se në këtë vend ka patur disa përparime.
BBC: Sa ndikim mund të ketë mosmarrëveshja me Greqinë për çështjen e emrit në përafrimin e Maqedonisë me BE-në?
Steven Vanackere: Të gjithë e dimë se për të patur një vendim unanim të të 27 vendeve anëtare në Këshillin Evropian, duhet të gjejmë një zgjidhje për mosmarrëveshjen që ekziston për çështjen e emrit. Unë dhe komisioneri Fule e kemi theksuar se kjo duhet të arrihet pa humbur kohë. Pavarësisht nga kjo, nuk mund të thuhet se është vetëm çështja e emrit ajo që e pengon progresin e Maqedonisë. Ajo duhet të vazhdojë procesin e reformave dhe të zbatojë të gjitha angazhimet që ka ndërmarrë. Gjithësesi, unë jam dakord se çështja e emrit është delikate. Presidenca belge mbështetet në gatishmërinë e Greqisë dhe Republikës ish-Jugosllave të Maqedonisë që të bisedojnë për të gjetur një zgjidhje. Do të ishte mirë sikur kjo çështje të zgjidhej brenda verës.
BBC: Si e shihni ju ngërçin politik në Shqipëri, ku nuk ka ende një marrëveshje politike mes qeverisë dhe opozitës?
Steven Vanackere: Më 29 korrik kryeministri im u takua me kryeministrin Berisha në Bruksel. Në këtë takim u diskutua për këtë çështje. Sigurisht do të ishte mirë që vetë Shqipëria ta zgjidhte këtë problem shqiptar. Ne e vlerësojmë rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon, pjesëmarrjen e saj në disa nisma bashkëpunimi rajonal dhe hapat për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe. Autoritetet shqiptare po punojnë për kryerjen e disa reformave në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Por, kur sheh situatën e brendshme dhe krizën e tejzgjatur mes qeverisë dhe opozitës, e kupton se kjo ndikon negativisht mbi imazhin e Shqipërisë në Evropë. Ne theksojmë edhe njëherë se funksionimi i institucioneve është parim bazë i demokracisë dhe ai ka shumë rëndësi në përmbushjen e kritereve të Kopenhagenit. Siç e them edhe për vende të tjera, përpjekjjet për zgjidhjen e këtyre problemeve nuk duhet të bëhen vetëm për hir të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kjo është e rëndësishme për të patur një klimë të politike normale dhe për t'i shërbyer sa më mirë qytetarëve të një vendi.
Nuk ka komente:
Posto një koment