e mërkurë, 9 mars 2011

Të drejtat e njeriut, zbardhet raporti special i Këshillit të Evropës për 21 Janarin



Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut ka publikuar raportin e vëzhgimit që realizoi në Shqipëri në raport me ngjarjet e 21 Janarit. Në këtë dokument thuhet se misioni u krye nga datat 13 deri në 15 shkurt të vitit 2011.
Sakaq, në raportin special thuhet se më 21 Janar, pak pasi demonstruesit u grumbulluan përpara godinës së Kryeministrisë, një dhunë shpërtheu midis një grupi disa qindar njerëzish dhe forcave të policisë që rrethonin godinën. “Ka perceptime të ndryshme dhe konfliktuale me njëri-tjetrin sa i takon asaj që vërtet ka ndodhur dhe se si situate u agravua në një spirale që e nxori jashtë kontrolli. Palët politike ofrojnë perceptime të ndryshme rreth pyetjes së kush e provokoi shpërthimin e dhunës, demonstruesit apo policia. Referuar qeverisë protesta u organizua nga opozita me qëllim marrjen me forcë të qeverisë, ndërsa opozita thotë se ishte policia ajo që provokoi protestuesit ende pa nisur tamam protesta”, thuhet në raportin special.
Ajo çka duket qartë, vëren raportuesi është fakti se një grup protestuesish ushtruan dhunë ndaj policisë dhe Gardës së Republikës duke përdorur gurë dhe shkopinj që i shkëputën nga banerat që mbanin në duar. “Disa protuestues dogjën makina të parkuara në sheshin ku po zhvillohej protesta. Në përgjigje policia përdori ujëhedhëse, gaz lotsjellës dhe plumba plastikë dhe si rezultat pati të plagosur nga të dy palët. Më vonë, u përdorën armë zjarri nga Garda e Republikës. Katër protestues vdiqën dhe disa të tjerë u plagosën nga zjarri ndërkohë që ngrihen dyshime për ligjshmërinë e të shtenave në raport me forcën që po përdorej në krahun tjetër.
Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm informuan komisionerin e Këshillit të Evropës se Garda e Republikës ka rregullore të mbrojtjes së perimetrit të caktuar rreth godinës së Kryeministrisë kur ai thyhet.
Teksa komisioneri konstatoi se katër të vrarët ishin jashtë këtij perimetri sigurie rreth Kryeministrisë, ministri deklaroi se protestuesit kishin qëllim që të hynin brenda rrethit të sigurisë”, thuhet në raport. Më tutje konstatohet se ka patur raste të shpërthimit të dhunës së ushtruar nga policia ndaj personave në bulevard dhe se shumë qytetarë që nuk kishin lidhje me protestën janë shoqëruar dhe dhunuar nga policia.
Në pjesën e konkluzioneve thuhet se kërkohet një hetim jopartiak dhe i besueshëm për të zbardhur dhunimin e të drejtave të njeriut në 21 Janar. Përgjegjësit e akteve të dhunës dhe dhunimet e tjera të të drejtave të njeriut duhet të adresohen dhe kjo është e nevojshme për të shmangur raste të tjera në të ardhmen. Komisioneri mirëpret faktin se përfaqësues nga dy kampet politike kanë theksuar që hetimet do të kryhen nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe se nuk ka alternativë tjetër.
Megjithatë në raport thuhet se Kryeprokurorja dhe jo vetëm ajo është sulmuar ashpër nga deklarata politike të cilat duhet të shmangen. “Polarizimi i thellë politik e bën punën e prokurorisë në veçanti delicate dhe të vështirë. Është shumë e rëndësishme që të shmangen interferimet ndaj hetimeve dhe duhet një bashkëpunim nga policia dhe autoritetet shtetërore.
s

Nuk ka komente:

Posto një koment