 | |
Mbledhja e KS të OKB-së u përqëndrua në mendimin e GJND-së |
Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka debatuar, mes përplasjesh, për Kosovën, për herë të parë që nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë. Edhe seanca e të martës e KS të OKB-së mbi Kosovën ka kaluar në përplasje të thellë mes përfaqësuesve të Prishtinës e Beogradit nga njëra anë dhe vendeve anëtare që e kanë njohur Kosovën dhe atyre që nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. Debati në Këshillin e Sigurimit u përqëndrua në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, me të cilin Kosova nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare me shpalljen e pavarësisë së saj. Ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç, e ka cilësuar vendimin e gjykatës si mundësi për keqinterpretim të rrezikshëm dhe ka vlerësuar se ajo nuk i jep të drejtën Kosovës për t'u shkëputur dhe për pavarësi. Ai tha se vendi i tij nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe se Serbia do të provojë që me mjete diplomatike të ruajë tërësinë tokësore të saj. Ndërkohë, ministri i jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, ka thënë se vendimi i GJND-së nuk ka lënë hapësirë për paqartësi dhe ka bërë thirrje për njohjen ndërkombëtare të saj. Ai ka kërkuar nga Beogradi zyrtar që të fillojë bashkëpunimin me Kosovën si dy shtete fqinje.
Ministri Hyseni ka kërkuar, gjithashtu, edhe zëvendësimin e Rezolutës 1244 që, sipas tij, nuk përputhet me realitetin e krijuar në terren. Ndërkohë, vendet anëtare të KS të OKB-së, kanë kërkuar që Kosova dhe Serbia të shfrytëzojnë mundësitë e krijuara nga mendimi i GJND-së për të hapur bisedimet mes tyre. Për ato shtete që e kanë njohur Kosovën, bisedimet nuk mund të prekin çështjen e statusit, meqë, për to, ai është i mbyllur dhe i pakthyeshëm. Ndërkohë, për vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit që ende nuk e kanë njohur Kosovën, bisedimet duhet të zhvillohen në interes të të dyja palëve.
BBC |
Nuk ka komente:
Posto një koment