e shtunë, 22 janar 2011

Është krim të jesh opozitar?


Nga Mustafa Nano
Ora është 19.30. Agjencitë e huaja të lajmeve kanë zënë ta vënë si lajm të parë atë që ndodhi sot në Tiranë. Ndërsa ne të këtushmit jemi duke bërë bilancin e ditës. Janë tre të vrarë. Policia shqiptare pra ka vrarë tre vetë. Dhe ka lënduar disa dhjetra. Deri tani nuk ka folur asnjë nëpunës i shtetit, aq më pak ndonjë dinjitar i lartë, për këta tre shqiptarë, që nuk jetojnë më. Askush nuk jep një version zyrtar të ngjarjeve tragjike; askush nuk shpjegon rrethanat; askush nuk shkon në spital të interesoshet për të plagosurit. Dhe nuk ka se si të shkojë, pasi ata shqiptarë janë vrarë e plagosur për krimin e vetëm që kanë qënë opozitarë. Në vitin 2011 në Shqipëri është krim të jesh opozitar. Por vini re: jo krim që ndiqet penalisht në shkallët e sallat e gjykimit, por krim që ndëshkohet aty për aty, me vendim snaiperash. Nuk është kështu, zotërinj të policisë? Na jepni versionin tuaj, atëherë! Na shpjegoni pse u vranë këta të tre! Çfarë ishin duke bërë kur u vranë? Ishin duke linçuar ndokënd? Kishin vënë poshtë ndonjë polic, dhe po e mbysnin apo po i zinin frymën? Duhet një shpjegim. Duhet shpjegimi, jo për të marrë vesh ndonjë rrethanë që justifikon egzekutimin e tre shqiptarëve (nuk ka rrethana të tilla në ngjarjen e sotme; vërtet, është e përligjur të vrasësh dikë që po qëllon me gurë kundër policëve?), por për të marrë vesh se vrasjet janë bërë me logjikë të ftohtë kriminale.
Pse ndodhi sa më sipër? Nuk po ndalem në momente apo sjellje të hershme të njërës palë apo tjetrës. Po ndalem në ditët e fundit. Çdo gjë filloi, kur opozita njoftoi se do të protestonte fort kundër pushtetit; por jo për të marrë pushtetin, pasi s’ka asnjë idiot në Shqipëri që të mendojë se në ditët e sotme pushteti mund të merret me dhunë; këtejpari pushteti mund të merret me vjedhje votash; dhe mund të mbahet me dhunë, siç po mbahet; por, e përsëris, nuk mund të merret me dhunë, nuk mund të merret as duke pushtuar po dhunshëm institucionet; se ja, ta zëmë se i pushtove, po pastaj ç’do bësh? Do bësh shurrën brenda? Epo gjë tjetër s’të mbetet për të bërë.
Thashë sa më sipër për të theksuar, se pushteti ekzekutiv dhe maxhoranca qeverisëse u kapën nga një panik i pashpjegueshëm; dhe është ky panik që shkaktoi këtë tragjedi; është ky panik që i bëri nervozë, që i bëri të lëshojnë provokime njëri pas tjetrit, që i bëri ta interpretojnë protestën e opozitës si një karshillëk që u bëhet atyre, e që i bëri të thonë, se “do ta mbrojmë rendin kushtetues nga opozita”, se “opozita do ndëshkohet keq, po shkeli ligjin”, etj, etj. Këto qëndrime të fundit janë më të çmendurat në një regjim demokratik. Opozita nuk ndëshkohet, me opozitën vetëm negocjohet. Vetëm një regjim diktatorial thotë se “do të mbrojë rendin kushtetues nga opozita”, ndërsa në një regjim demokratik opozita nuk shihet si një entitet që rrezikon, apo si një entitet, që kërcënon rendin kushtetues, apo si një entitet, nga i cili duhet të mbrohemi.
Po si i bëhet kur një opozitë kërkon qiqra në hell, apo kur një opozitë është e çmendur? Asgjë. Një opozitë e tillë (të kuptohemi, nuk është hiç ky rasti i opozitës së sotme; thjesht po eci me logjikën e atyre që “e kanë medemek shumë xhan rendin kushtetues”) është thjesht një kosto, të cilën duhet ta paguajmë të gjithë, pasi kjo është opozita që ne kemi. Dhe kjo kosto minimizohet nëpërmjet kompromisit, bisedave e negocjatave. Ju kujtohet opozita e Berishës për tetë vjet me radhë? Ishte e tmerrshme (dhe unë kam qënë kritik me të gjatë gjithë kohës), por ishte taksa që i paguanim pafuqisë sonë kolektive për të patur një opozitë më të mirë. Ajo opozitë sulmoi dhe pushtoi institucionet, rrëmbeu tanket, rrethoi dhe selinë e vet me tanke, e çfarë e gjeti? Asgjë. Askush nuk mori masa ndëshkuese, ndonëse kauza ishte e stisur dhe e shpifur (u akuzua Fatos Nano që kish vrarë Azem Hajdarin; bash mbi këtë bazë u bë ai manifestim që përfundoi me pushtim institucionesh. Ju kujtohet kjo, besoj. Fatos Nano është ai që sot është mik i ngushtë i të gjithë atyre që e akuzuan si vrasës të Hajdarit, të cilët atë mot nuk u penalizuan si përfaqësues të opozitës. Dhe mirë u bë. Pse? Sepse ajo ishte e vetmja opozitë. Më mirë me një opozitë të keqe, se sa pa opozitë. Ndërsa opozita e sotme thjesht u ngrit në një protestë. Është e ndaluar? Po, me sa duket. U vranë tre vetë për këtë.
Përsëris, një pushtet nuk vë policët kundër opozitës; është e trishtueshme të vësh policët kundër opozitës; është e trishtueshme kur mendon se çdo opozitar ka arsye tani e tutje ta shohë policinë si një bandë paramilitarësh në shërbim të pushtetit, dhe jo si një armë të dashur në mbrojtje të rendit publik (të rendit publik, e jo të rendit kushtetues); dhe ka të drejtë ta shohë kështu; dhe kjo vetëm për faj të pushtetit, që në vend të ulet, të bisedojë, të dëgjojë arsyet e opozitës e të gjejë gjuhën e përbashkët, kërkon të mbrohet nga opozita.
Kjo është pra në thelb arsyeja e asaj që ka ndodhur sot në Shqipëri.

Tema

Nuk ka komente:

Posto një koment