Qeveria shqiptare ka miratur vendimin për dhënien e një statusi të veçantë, me favorizime, për emigrantët shqiptarë që kthehen në Shqipëri. Sipas vendimit “emigrant i rikthyer” është shtetasi shqiptar i rikthyer në Republikën e Shqipërisë, për t’u larguar përsëri ose jo, pasi ka kaluar të paktën një vit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Të tillë janë edhe refugjatët e riatdhesuar, me dëshirë apo me detyrim, viktimat e trafikimit, fëmijët e pashoqëruar, të burgosurit e luftës, si dhe anëtarët e familjes së tyre.
Emigrant i rikthyer është edhe shtetasi shqiptar i rikthyer me dëshirë apo detyrim nga vendet pritëse në Republikën e Shqipërisë, për shkak të mosplotësimit të dokumentacionit e të kushteve për hyrjen, praninë apo qëndrimin e rregullt në shtetet pritëse, në zbatim të marrëveshjeve të ripranimit, si dhe anëtarët e familjes së tyre”.Gjithashtu, sipas vendimit, të gjithë personat që duan të emigrojnë tashmë do të informohen nga sportelet e migracionit dhe jo më nga Ministria e Punës.
Kush e përfiton “Statusin e emigrantit”?
1. Përfiton “Statusin e emigrantit” çdo emigrant i regjistruar në “Regjistrin për emigrantët” në zyrat e punësimit dhe që plotëson kushtet e parashikuara në këtë ligj për të përfituar “Dokumentin e statusit të emigrantit”.
2. Statusi i emigrantit krijon mundësinë që mbajtësi/titullari i këtij statusi të përfitojë nga kurset e formimit orientues, pa pagesë, për mësimin e gjuhës, ose të njohurive bazë për profesionet e kërkuara nga shteti pritës, për shtetasit shqiptarë që dëshirojnë të emigrojnë dhe për pjesëtarët e familjes së tyre, si dhe nga programet e nxitjes së punësimit dhe kurset e formimit profesional publik falas, për emigrantët e rikthyer.
3.“Dokumenti i statusit të emigrantit” është dokument identifikues për mbajtësin/titullarin e tij edhe për përfitimin nga shërbimet e tjera specifike, si në fushën e strehimit, të shëndetësisë, të arsimit, të mbrojtjes shoqërore, të investimeve në vend etj.
Kriteret për përfitimin e këtyre shërbimeve nga titullari/mbajtësi i statusit të emigrantit përcaktohen me urdhër të ministrave përgjegjës, sipas fushave që ata mbulojnë.
Kriteret për përfitimin e këtyre shërbimeve nga titullari/mbajtësi i statusit të emigrantit përcaktohen me urdhër të ministrave përgjegjës, sipas fushave që ata mbulojnë.
4.“Dokumenti i statusit të emigrantit” është një dokument identifikimi dhe lëshohet nga zyra përkatëse e punësimit pranë njësisë së qeverisjes vendore.
5. Forma dhe përmbajtja e dokumentit, dokumentacioni përkatës dhe procedurat për përfitimin e statusit të emigrantit përcaktohen me urdhër të ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.”
Favorizimet
Hiqen pagesat doganore dhe taksat për të gjithë emigrantët
1. Autoritetet shtetërore përgjegjëse përjashtojnë nga pagesat doganore dhe taksat emigrantët shqiptarë,për: a) sendet vetjake dhe pronësitë e luajtshme të punëtorëve migrantë dhe pjesëtarëve të familjes, që i përkasin njësisë familjare; b) një sasi veglash dore dhe pajisjesh të lëvizshme, të nevojshme për profesionin që do të ushtrojnë.
2. Përjashtohen nga taksat e udhëtimit dhe tarifat aeroportuale personat, të cilët kanë përfituar statusin e emigrantit, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe.
Regjistrimi i shtetasve
1. Çdo shtetas shqiptar, që kërkon të emigrojë për qëllime punësimi, si dhe shtetasit shqiptarë të rikthyer regjistrohen në “Regjistrin për emigrantët”, pranë sporteleve të migracionit në zyrat përkatëse të punësimit.
2. Regjistri qendror për emigrantët administrohet nga struktura përgjegjëse për çështjet e migracionit, në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
3. Shtetasit shqiptarë të rikthyer, të regjistruar në “Regjistrin për emigrantët”, përfitojnë shërbim informimi dhe referimi në autoritetet shtetërore, përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve për riintegrim.
4. Forma, përmbajtja e regjistrit, dokumentacioni dhe procedurat e regjistrimit përcaktohen me urdhër të ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta
Nuk ka komente:
Posto një koment