e enjte, 17 shkurt 2011

Italia kërkon ndihmën e BE për përballimin e krizës së refugjatëve



Përballë vërshimit të refugjatëve tunizianë në ishullin mesdhetar Lampedusa, qeveria italiane ka kërkuar ndihmën e Bashkimit Evropian.
Ministri i Brendshëm, Roberto Maroni kërkoi nga Komisioni angazhimin e agjencisë për mbrojtjen e kufijve Frontex si dhe mbështetje financiare prej 100 milionë eurosh, njofton Deutsche Welle.
Ndërsa Kryeministri italian, Silvio Berlusconi, ka thënë se bëhet fjalë për një emergjencë, që prek gjithë BE-në.
Ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini mbërriti për një vizitë në Tunizi, ku do të bisedojë me kryeministrin tunizian Mohammed Ghannouchi për zgjidhjen e krizës së refugjatëve.
Më parë në Tunizi ishte edhe e ngarkuara e BE-së me Politikën e Jashtme, Catherine Ashton, e cila i premtoi qeverisë kalimtare një ndihmë emergjente prej 17 milionë eurosh.
Për shkak të krizës ekonomike në Tunizi, ditët e kaluara më shumë se 5.000 tunizianë kanë mbërritur në ishullin italian Lampedusa.
Që prej ditës së hënë në ishull nuk kanë arritur emigrantë të tjerë. Ndërkaq socialdemokratët dhe ekologjistët në Gjermania kërkuan që edhe Gjermania të pranojë refugjatë nga Afrika e Veriut.

Nuk ka komente:

Posto një koment