Problemi i emigracionit të paligjshëm ishte në epiqendër të konsultës së sotme të mbikqyrur nga kryeministri Jorgos Papandreu në Parlament, ku morën pjesë ministri i Brendshëm Jannis Ragusis, Mbrojtjes së Qytetarit Hristos Papuçis, Punësimit Luka Kaceli, zëvendësministri Jorgos Kutrumanis dhe ndihmës ministrat Anna Dalara dhe Hristos Ajdhonis.
Konsulta kishte më tepër karakter hulumtues përmes hedhjes së propozimeve, teksa pritet brenda një afati dhjetëditor të zhvillohet edhe një e dytë, sërish ndën mbikqyrjen e kryeministrit.
Gjatë konsultës u propozua “zbutja” e maksimumit për grumbullimin e ensimave (ditët e punës që vlejnë për rinovimin e lejes së qëndrimit që arrijnë në 400 për dy vjet), me qëllim të mos dalin nga ligjshmëria emigrantët, dhe paralelisht ministritë e Brendshme dhe të Punësimit do të paraqesin një plan analize dhe kategorizimi të atyre që janë të paligjshëm.
Në çdo rast, tema deçizive, sipas vlerësimeve qeveritare, është ajo e emigrantëve të paligjshëm, dhe përparësia e qeverisë është që këta të dalin nga “errësira” –sikurse u theksua në mënyrë karakteristike- dhe të numërohen, ndërsa paralelisht u hodhën propozime për vendosje të ashpra sanksionesh punëdhënësve që angazhojnë emigrantë të paligjshëm.
Qëllimi i qeverisë është të vlerësohen kategoritë e ndryshme dhe rastet e veçanta të emigrantëve, përfshirë këtu edhe ata që ndodhen në “regjim tolerance” (të paligjshëm për një periudhë të shkurtër), kurse qeveria merr parasysh edhe faktin që disa ambasada, nuk ndihmojnë në përcaktimin e gjendjes së të ndodhurve në “regjim tolerance”.
Përsa i përket rikthimit të emigrantëve në vendet nga ku vijnë, vendimi i qeverisë është se do të zbatohet ligji.
Në lidhje me emigrantët që ndodhen këto ditë në grevë në ndërtesën “Ipatia” (Patision dhe Ipiru), pozicioni i qeverisë është se “nuk shantazhohemi”, sikurse dhe u përsërit propozimi i hedhur një javë më parë, emigrantët në fjalë të “trajtohen rast pas rasti dhe në mënyrë personale”.
Nuk ka komente:
Posto një koment