Kredi deri në 100.000 euro për bizneset e vogla dhe shumë të vogla për investimin dhe shtrirjen e aktivitetit të tyre, me këste që fillojnë nën 3%, do të jepen nga dita e Mërkurë 23 Shkurt, nga Banka Kombëtare Greke (Ethniki) dhe Alpha Banka.
Kjo nismë realizohet në kuadër të programit të parë (nga të tre programet) të inisiativës “Jeremie” që do të nisë të zbatohet në Greqi.
Programet u prezantuan nga ministri Rajonal Mihalis Hrisohoidhis dhe Këshilltari i Fondit Europian të Investimeve Riçard Peli.
Programi, që do të nisë të mërkurën, llogaritet me një vlerë të përgjithshme prej 120 milionë eurosh nga të cilat 60 milionë vijnë nga Fondi Europian dhe 60 milionë të tjera nga bankat, që u zgjodhën me konkurs.Në këtë program mund të marrin pjesë biznese me personal deri në 50 veta, që janë në krijim e sipër ose sapo janë krijuar (d.m.th. të mos funksionojnë më shumë se 3 vjet).
Periudha e shlyerjes së kredisë është 36 – 72 muaj, duke përfshirë edhe periudha mospagimi (sipas marrëveshjes), ndërsa në nivele të ulta do të jenë edhe vlerat e garancive që do të kërkojnë bankat.
Programi i dytë, parashikohet të fillojë nga zbatimi në muajin Prill.
Ndërkohë ka nisur konkursi për përzgjedhjen e bankave.
Ky program do të ketë buxhet prej 60 milionë eurosh dhe do të ofrojë kredi deri në 25.000 euro tek bizneset shumë të vogla në të gjitha sferat e veprimtarisë ekonomike.
Në lidhje me programin e tretë, ai do të ketë buxhet 180 milionë euro dhe do të ofrojë kredi deri në 500.000 euro për bizneset me personel deri në 250 veta për investime në sferën e informatikës dhe komunikimit.
Nuk ka komente:
Posto një koment