Ka kaluar afati kohor që kryeministri grek Jorgos Papandreu i kishte dhënë ministrisë së brendshme dhe asaj të punës për t’i paraqitur paketën e re të masave për emigrantët. Bëhet fjalë për të gjithë ata shtetas të huaj të cilët për shkak të krizës ekonomike kanë humbur vendet e tyre të punës dhe si rrjedhim, e kanë të pamundur të rinovojnë lejet e qëndrimit.
Sipas burimeve nga Ministria e Punës, brenda javës që vjen, paketa e masave do të marrë rrugën e shqyrtimit të përshpejtuar dhe do të konsiderohet si një “çështje urgjente” zbatimi i menjëhershëm i saj. Nga kjo paketë e re masash do të përfitojnë vetëm emigrantët të cilët kanë patur status të ligjshëm dhe jo emigrantët e paligjshëm, të cilët erdhën në Greqi pas fushatës së fundit legalizuese të vitit 2005.
Sipas statistikave, 25% e emigrantëve të ligjshëm dhe familjet e tyre e kanë të pamundur të rinovojnë lejet e qëndrimit për shkak të krizës ekonomike që ka mbërthyer vendin. Kjo gjë që do të bëhet më e dukshme gjatë gjithë vitit 2011, kur një pjesë e shëndoshë e fuqisë emigrante do të kalojë në statusin që ishte kur erdhi, në paligjshmëri.
Konkretisht, 460.000 shtetas të huaj dhe familjet e tyre disponojnë në këtë moment leje qëndrimi të rregullt, ndërsa janë në pritje edhe 140.000 të tjera. Pjesa dërrmuese e tyre janë shqiptarë, që përbëjnë 70% të emigrantëve të ligjshëm në Greqi, të cilët kanë përparuar në procedurën e bashkimit familjar, gjë që dëshmon për integrimin e tyre social.
Nuk ka komente:
Posto një koment