Të gjithë fëmijët e brezit të dytë të emigrantëve që lindën në Greqi, ndjekin ose kanë ndjekur shkollën greke, do të trajtohen me të njëjtën mënyrë sikurse edhe të huajt e rritur, të cilët u legalizuan me ligjin e fundit të vitit 2005. E gjithë kjo, nëse përfundimisht Asambleja e Këshillit të Shtetit legalizon vendimin e Seksionit të Katërt të tij.
Praktikisht kjo do të thoshte se 2500 fëmijë, për të cilët janë dorëzuar kërkesa për dhënien e nënshtetësisë greke, 25 000 fëmijë të cilët kanë lindur pas vitit 2004 nga nëna të huaja si dhe disa mijëra fëmijë të tjerë që janë në moshë më të madhe apo janë rritur, do të trajtohen sikurse erdhën sot në Greqi! E gjithë kjo pasi arsimimi grek, depërtimi në qarqet e shoqërisë greke, në bazë të vendimit të Seksionit të Katërt të Këshillit të Shtetit, nuk konsiderohen të mjaftueshëm për të dëshmuar integrimin e tyre në shoqërinë greke.
Nga ana tjetër, mungesa e “lidhjes greke të gjakut”, kërkon, në bazë të vendimit, të gjykohet çdo fëmijë në veçanti, në mënyrë individuale, me qëllim që të konstatohet nëse ai është mbartës i ndërgjegjes greke. Ligji aktual, në fuqi, jep të drejtën e marrjes automatike të nënshtetësisë greke tek fëmijët e mitur të shtetasve të huaj që qëndrojnë ligjërisht në vend të paktën për 5 vjet si dhe tek fëmijët e mitur të shtetasve të huaj të ligjshëm të cilët (fëmijët) kanë ndjekur 6 vjet në arsimin grek, pasi bëhet kontrolli në dëshminë e penalitetit.Veçse vendimi i Seksionit të Kartërt të Këshillit të Shtetit, jo vetëm vë në dyshim këto kushte, por shtron edhe çështjen e shqyrtimit personal. Ai (Seksioni) e gjykon si “të drejtë” dhënien automatike të nënshtetësisë greke tek brezi i dytë, por me kusht. Ligji ekzistues përcakton si kusht për natyralizimin e emigrantëve të brezit të parë njohuritë e mjaftueshme të gjuhës greke, integrimin gradual në jetën ekonomike dhe sociale të vendit (punë stabël) dhe pjesëmarrjen në jetën politike.
Vendimi i Seksionit të Katërt nuk i konsideron si antikushtetues kushtet e mësipërme, përderisa nuk ekzistonte ndonjë kërkese apo ankesë e tillë.
Sipas të dhënave, deri në fund të muajit Dhjetor 2010 rreth 280 fëmijë të huaj morën nënshtetësinë greke në bazë të ligjit të ri (3838/2010), d.m.th. duke dorëzuar kërkesën përkatëse në bashki. Përsa i përket brezit të parë të emigrantëve, vjet Komisoni i Nënshtetësisë në Ministrinë e Brendshme, ku shqyrtohen një për një kërkesat e shtetasve të huaj të rritur, shqyrtoi rreth 6 mijë dosje. Po kaq pritet të jetë edhe numri i dosjeve që do të mund të shqyrtohen edhe këtë vit.
Eksperienca të tjera
Përsa i përket fëmijëve të brezit të dytë të cilët preken nga vendimi i Seksionit të Katërt të Këshillit të Shtetit, kudo në Europë nënshtetësia përbën një procedurë automatike dhe jo një shqyrtim të individualizuar. Përveç kësaj, deri në votimin e ligjit për nënshtetësinë, Greqia ishte vendi i vetëm i cili ndodhej krejtësisht në ajër në çështjen e fëmijëve të huaj të brezit të dytë.
-Duke filluar nga vendet tashmë më të “rrepta”, në Francë dhe në Itali, fëmijët e brezit të dytë marrin automatikisht nënshtetësinë e vendit me mbushjen e moshës madhore.
-Në Hollandë, kur prindërit janë me banim të ligjshëm në vend ose fëmijët kanë lindur atje, bëhen automatikisht shtetas hollandezë.
-Në Gjermani, nga viti 2000 dhe më pas, kur një prej prindërve qëndronte të paktën 8 vjet në vend, fëmijët regjistroheshin shtetas gjermanë, menjëherë pas lindjes së tyre.
-Në Belgjikë, fëmijët marrin nënshtetësinë belge përderisa prindërit e tyre qëndrojnë në vend të paktën 5 vjet gjatë 10-vjeçarit të fundit.
-Në Spanjë nga viti 2002 dhe më pas, fëmijët marrin menjëherë nënshtetësinë përderisa prindërit e tyre qëndronin në vend të paktën një vit përpara dorëzimit të kërkesës.
-Në Britaninë e Madhe një fëmijë bëhet automatikisht shtetas anglez, nëse një nga prindërit e tij ka leje qëndrimi me afat të pakufizuar. Nëse kjo nuk është e mundur, atëherë fëmija fiton të drejtën e marrjes së nënshtetësisë angleze pasi ka jetuar 10 vjet në vend.
Nuk ka komente:
Posto një koment