e martë, 15 shkurt 2011

Pas heqjes së vizave, asnjë shqiptar nuk ka kërkuar azil


Autoritetet shqiptare bënë sot të ditur se rreth 127 mijë qytetarë kanë udhëtuar pa viza gjatë dy muajve të fundit në vendet e zonës “Shengen”, por asnjë prej tyre nuk ka kërkuar strehim politik. Ministri i Brendshëm Lulëzim Basha, deklaroi sot në një takim me policinë kufitare dhe me agjencitë turistike se “hyrjet dhe daljet e udhëtarëve pa viza janë në një ritëm të zakonshëm”. Zoti Basha tha se brenda dy muajve nga 15 dhjetori kanë udhëtuar 127 mijë qytetarë dhe “një e treta e tyre janë kthyer në atdhe më herët, duke përgënjeshtruar parashikimet e skeptikëve për largime masive”.
Sipas ministrit Basha, “këto janë shifra rekord për rajonin, dhe tregojnë se qytetarët shqiptarë po shfrytëzojnë brenda ligjeve hapësirat e lirisë së lëvizjes”. Ai tha se në listën e zezë të “Shengenit” janë 3 mijë e 154 shtetas, që kanë shkelur rregullat përpara heqjes së vizave, por edhe kjo shifër është brenda parametrave normalë dhe e krahasueshme me vendet e tjera. Po ashtu edhe refuzimi i udhëtimit ka ndodhur vetëm për 1 mijë e 200 shtetas, nga të cilat gjysmat vetëm ditët e para nga Kakavija, por që më vonë kanë udhëtuar. Ministri Basha, u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që po udhëtojnë pa viza në Evropë qysh nga mesi i Dhjetorit, të mos harrojnë rregullat dhe afatin tremujor të kësaj procedure, përndryshe do të hyjnë në listat e zeza të zonës “Shengen”.
Statistikat tregojnë se në gjysmën e dytë të Dhjetorit kanë dalë 60 mijë udhëtarë shqiptarë dhe kanë hyrë 50 mijë, pra, ka ndryshuar vetëm kahja e udhëtimit. Në Janar kanë dalë 55 mijë janë kthyer gjysmat, ndërsa në Shkurt janë shënuar 10 mijë dalje dhe 8 mijë kthime.
Zyrtarët pohuan se shanset për azil politik të shqiptarëve në Europë janë zero dhe se pasoja do të ishte vetëm përzënia e përkohshme nga zona “Shengen” e aplikuesve. Aktualisht, mbi 1 milionë e gjysmë shtetas shqiptarë, ose afro gjysma e popullsisë janë pajisur me pasaporta biometrike. Pranë konsullatave shqiptare në Milano, Romë, Athinë e Selanik po happen këto ditë pika të reja aplikimi për pasaporta biometrike, dhe madje zyrtarët po studjojnë mundësinë që zyra të tilla të hapin edhe në SHBA apo shtete të tjera të Bashkimit Europian.

Nuk ka komente:

Posto një koment