e enjte, 17 shkurt 2011

Serbia i kërkon OKB-së hetim për tregtinë e mundshme të organeve



Serbia i ka kërkuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të lejojë një hetim të pavarur ndërkombëtar për akuzat mbi tregtinë e mundshme të organeve  nga ish udhëheqësit e UÇK-së në Kosovë.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremic, tha në seancën e Këshillit të Sigurimit se një hetim i pavarur i këtyre akuzave është “esencial”. Ushtruesja e detyrës së ministres së Jashtme në largim të Kosovës, Vlora Çitaku theksoi kundërshtimin e qeverisë së Prishtinës ndaj këtyre akuzave.
Ajo vuri në dukje se akuzat janë trajtuar nga faktori ndërkombëtar para Gjykatës Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë dhe Misionit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, UNMIK, por shtoi se Prishtina do të mirëpriste hetime të mëtejshme nga EULEX-i.
Shumica e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara thanë se do të mbështesin EULEX-in në hetimin e akuzave, por nuk e panë të nevojshme hapjen e një hetimi paralel.
Sot Kosova mbush tre vjet si shtet i pavarur dhe sovran. Shteti i Kosovës u njoh deri tani nga disa vende të fuqishme si SHBA, Gjermania, Franca, Britania. Ajo njihet nga 75 vende të botës dhe shtetësia e saj është miratuar edhe nga vendimi i dhënë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë.

Nuk ka komente:

Posto një koment