e mërkurë, 23 shkurt 2011

Skandal i ri me pensionet në IKA



Shërbimet e Entit të Sigurimeve Shoqërore (IKA) kanë zbuluar në njësinë e IKA-s në Ksanthi sigurime të rreme të punonjësve në biznese të ndryshme, me qëllim që ata (punonjësit) të plotësonin numrin e domosdoshëm të ditëve të siguruara të punës (ensima) për daljen në pension.
Në bazë të raportit të paraqitur nga Drejtoria e Inspektoriatit të Sigurimeve Shoqërore dhe që është bërë publik nga gazeta “Ta Nea”, bëhet fjalë për persona të cilët figuronin si të punësuar para vitit 1986, me qëllim që të plotësonin periudhën e domosdoshme të sigurimit për të marrë pension.
Aktualisht, janë konstatuar 30 raste personash të cilëve u janë vendosur ensima që nuk buronin nga shit-blerja e ligjshme, ndërsa, sipas vlerësimit të shërbimeve të IKA-s, numri i pensioneve false llogaritet në mbi 300.
Në këtë çështje, rol kryesor ka luajtur një llogaritar i cili kishte gjetur ensima dhe i vendoste në libra të veçantë që i merrte vetë ai ose kandidatët për pension i siguronin nga njësi të ndryshme të IKA-ve.
Nga të dhënat rezulton se ishin nxjerrë pensione të pjesshme me vlerë prej mijëra eurosh (deri edhe në 14.000 në një rast të vetëm). Ndërkaq, vlen të theksohet se hetimi vazhdon, ndërsa të siguruarit janë të detyruar të kthejnë pas shumat monetare dhe IKA ka vendosur të dërgojë dosjen e tyre tek prokurori për ndjekje të mëtejshme të çështjes.
Por rasti i pensioneve false përbën vetëm një nga problemet e shumta të entit më të madh të sigurimeve shoqërore në Greqi. Çdo ditë në shërbimet e IKA-s zbulohen shkelje të reja sikurse:
-Me mijëra janë rastet kur pensionet e personave që kanë vdekur vazhdojnë t’i marrin akoma të afërmit e tyre. Madje kohët e fundit u kap një rast kur të afërmit e të vdekurit, merrnin rregullisht pensionin edhe 22 vjet pas vdekjes së tij.
-Dhënia e paligjshme e pensioneve tek shtetasit e huaj. Numri i të siguruarve arrinte në mbi 10.000 vetë, ndërsa dëmi përllogaritet në 40 milionë euro. Shpërblimi që merrnin zyrat, që ishin krijuar enkas për këtë qëllim, ishte rreth 1000 euro.
-Me mjëra pensione invaliditeti kanë rezultuar të rreme. Vlerësohet se 60.000-70.000 persona merrnin pensione invaliditeti të cilat nuk i meritonin, ndërsa hetimi dëshmon se veprojnë rrjete të organizura mirë në këtë sferë.

Nuk ka komente:

Posto një koment