Intervistë e liderit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, dhënë gazetarit Niko Ago.
Lideri i opozitës, gjatë vizitës në Athinë, flet për herë të parë për regjistrimin e popullsisë dhe marrëveshjen detare.
-Z. Rama,cili qe mesazhi i socialistëve evropianë për krizën politike në Shqipëri?
21 Janari tregoi se kriza në Shqipëri nuk është vetëm politike, është një krizë e rrënjosur në jetën e përditëshme të shoqërisë. Shoqëria është e kredhur në varfëri dhe korrupsion. Qasja ndaj këtyre ngjarjeve e kolegëve socialistë evropianë ishte qasja e duhur: dënimi nga njëra anë i vrasjeve të njerëzve të pafajshëm nga armët e shtetit, duke nënvizuar domosdoshmërinë e procesit politik ndaj tyre, hetimin e pavarur dhe respektimin e institucioneve ligjore dhe nga ana tjetër, domosdoshmërinë për të luftuar korrupsionin dhe rritur transparencat e zgjedhjeve.
- 21 Janari, besoni se ishte humbja definitive e mirëkuptimit politik?
Këtu nuk është fjala për mirëkuptim politik, por për garancitë që palët, dhe posaçërisht opozita, duhet ti kenë në procesin zgjedhor si baza të procesit demokratik dhe politik. Unë nuk mendoj që, ndodhitë e 21 Janarit, vështirësuan vendosjen e garancive. Unë mendoj që 21 Janari “thërret” që këto garanci të vendosen dhe që procesi politik të vij në rrjedhën e natyrshme, ku çdo palë ka vendin, arsyen, integritetin, mendimin e vet parimor.
-Pjesmarrja e PS-së në zgjedhjet e 8 Maj-it, u vu ndonjëherë në dyshim?
Saliu ka ëndërruar gjithnjë që PS-ja të bojkotojë zgjedhjet. Ishte ëndërra e tij e madhe për të zaptuar gjithçka ka mbetur, duke marrë në një fushë pa kundërshtarë, të gjitha njësitë vendore. Sigurisht, përmes një procesi teatral, ku do të ndante rolet me Ilir Metën dhe të tjerë, duke krijuar idenë që Partia Socialiste është jashtë sistemit. Bojkoti i zgjedhjeve nuk ka qënë kurrë një opsion që e kemi konsideruar si të vlefshëm. Pasi, pavarësisht të gjitha problemeve, rruga që ne kemi zgjedhur është përballja deri në fund me këtë qeveri vrastare dhe kusarësh. Saliu vodhi zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë, kurse më 21 Janar vrau për të vazhduar të vjedhë.
- Beteja për zgjedhje të parakohëshme ka humbur përfundimisht?
Jo, ato janë domosdoshmëri shumë më e madhe se para 21 Janarit, dhe do vazhdojmë ti kërkojmë me forcë, paqësisht dhe vendosmërisht. Ato janë e vetmja zgjidhje afatgjatë për krizën politike, ekonomike dhe atë të drejtësisë në vend.
-A mund të krahasohet njëfarësoj, 2011-a me ’97-ën?
Në΄97-tën, pushteti ekonomik i matrapazëve të piramidave ishte një pushtet paralel politik i Saliut. Sot, pushteti politik, që është i bazuar në vjedhjen e zgjedhjeve, dhe pushteti ekonomik i bazuar në korrupsionin e kontrolluar drejtpërdrejtë nga Saliu, janë të njëjtat duar, duart e Saliut.
-Pas 21 janarit, askush nuk dha dorëheqjen. A ka në Shqipëri cipë politike?
Këtu nuk është çështje cipe, është çështje degradimi e procesit politik dhe marrdhënieve qeveri – qytetar. Në botën demokratike, dorëheqjet jepen pasi ka një shqetësim për të normalizuar raportin me qytetarët, dhe për të mos humbur besimin e zgjedhësve tek qeveria. Ndërkohë që në Shqipëri, kjo nuk ndodh për arsyen e thjeshtë se qeveria dhe kryeministri nuk synojnë të rivotohen, por synojnë të qëndojnë aty ku janë duke i rivjedhur zgjedhjet.
-Pas tragjedisë së 21 Janarit, emri i zotit Meta nuk është më në fokusin e mediave. A mund të quhet ai “i fituari i madh”?
Edhe peshqit e Adriatikut e Jonit dinë që Meta është i identifikuar me korrupsionin dhe matrapazllëkun. Fakti që nuk përflitet përditë, nuk do të thotë që ajo çka shqiptarët panë me zë e me figurë, është harruar. Çdo shqiptar, e di fort mirë tashmë se kush është Ilir Meta.
-Qasja me Partinë Socialiste e ish ministrit Prifti, e “minon” përpjekjen e saj për drejtësi dhe transparencë?
z. Prifti nuk ka ardhur dhe nuk është pjesë e Partisë Socialiste.
-Marrëveshja e ujrave territoriale midis Shqipërisë dhe Greqisë është lënë pezull me iniciativën tuaj,mund të ndikojë kjo në marrdhëniet shqiptaro-greke?
E vërteta është që, përballë një ndjeshmërie të madhe të opinionit publik dhe kritikash të forta, për të shmangur çdo spekullim dhe për të mos lejuar që ky dokument i rëndësishëm për marrëdhëniet dypalëshe, të kthehej në një shkak më tepër në luftën politike, e nxorëm nga debati politik dhe ia lamë Drejtësisë për të vendosur. Jo me sytë e politikës, por të ekspertizës. Nga ekspertiza rezultoi se marrëveshja kishte një sërë problemesh dhe Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë atë, sikurse ishte formuluar.
Eshtë e domosdoshme të ketë një marrëveshje për ujrat territoriale, dhe kjo marrëveshje të bëhet me transparencë, në mënyrë që të gjithë ta pranojnë, pa menduar askush se diçka fshihet, për shkak të një procesi jo transparent, si ai që ndërtoi qeveria e Berishës.
Pati spekullime, me faktin që ne nuk qëndruam indiferentë ndaj zërave që u ngritën në opinionin shqiptar mbi këto marrëveshje. Në fakt, ajo që ne bëmë, ishte respekti për drejtësinë dhe për vizionin tonë, për një bashkëjetesë në harmoni të plotë. Nuk hymë në debat politik. Nuk e kthyem shqetësimin e opinionit publik, në një instrument politik për të sulmuar qeverinë, por ia lamë gjykimin një autoriteti të pavarur. Ne jemi për një proces negocimi transparent dhe të gatshëm të punojmë për ta realizuar këtë marrëveshje të nevojshme.
- Në Shqipëri lindi problemi me rregjistrimin e popullsisë,ku u dëgjuan zëra se procesi u shërben interesave të Greqisë. Cili është mendimi juaji ?
Edhe në këtë rast mendoj se është e domosdoshme transaparenca, një dialog i hapur dhe i ndershëm me publikun, një proces me elementet e kornizës europiane lidhur me çështjen, ku të shmangen spekullimet dhe abuzimet.
-Si mendoni se po e trajton problemin e emigrantëve shqiptarë qeveria greke dhe cilat janë angazhimet tuaja për ta?
Integrimi i emigrantëve në shoqërinë greke, ka hyrë në rrugë të drejtë me ardhjen e z. Papandreu në qeveri. Është rruga ku liritë dhe të drejtat e emigrantëve janë si ato të qytetarëve vendas. Besoj se vizioni dhe politika që po ndjek kryeministri grek, do të mundësojnë hapa të rëndësishëm në këtë aspekt.
Përsa na përket ne, ishte propozimi i P.S.-së, që u hodh poshtë nga mazhoranca, për të mundësuar votën e emigrantëve. Partia Socialiste, me shumicën e saj parlamentare, do të krijojë mekanizmin e duhur për këtë çështje. Duke pasur një lidhje politike, mund të pretendohet nga emigrantët të vazhdojnë të investojnë apo të dërgojnë remitancat. Momentalisht ata janë eleminuar politikisht, duke u mohuar të drejtën e votës.
- Do ta shohim z. Papandreu së shpejti në Shqipëri?
Kjo është një çështje që lidhet me impenjimet e jashtëzakonshme që ka ai. Ai asnjëherë nuk ka munguar të interesohet për zhvillimet në Shqipëri, për punën që ne bëjmë edhe brenda Partisë Socialiste dhe gjithashtu nuk ka hezituar që “të hidhet një vrap” drejt Shqipërisë, kur e ka pasur të mundur. Momentalisht ai është i ngarkuar me angazhime historike, për të dhe Greqinë.
-Ju faleminderit për kohën!
Unë ju faleminderit!
Nuk ka komente:
Posto një koment