e enjte, 10 mars 2011

Projektligji: Pagimi me këste i energjisë elektrike



Masa për mbrojtjen e konsumatorëve dhe veçanërisht të grupeve më në nevojë, me fatura të ulta, lehtësi në shlyerjen e llogarive dhe ndalimin e prerjes së energjisë elektrike në periudha të caktura (sikurse në rastin e kushteve të këqija atmosferike), pritet të marrë qeveria greke.
Të gjitha këto masa parashikohen, midis të tjerash, në projekligjin për përshtatjen e legjislacionit kombëtar të energjisë me atë të Bashkimit Europian, i cili u prezantua në Këshillin e Ministrave nga ministrja e Ambientit, Energjisë dhe Ndryshime Klimaterike, Tina Birbili.
Konkretisht, projektligji parashikon që, në rast të pamundësisë për të paguar të gjithë shumën e energjisë elektrike, konsumatorëve do t’u ofrohet edhe varianti i kësteve. Kjo praktikë po ndiqet aktualisht nga DEH, por përmes projektligjit do të marrë edhe mbështetje ligjore. Gjithashtu, parashikohet edhe mosndërprerja e energjisë elektrike, megjithëse konsumatorët kanë fatura të papaguara, në ditë me mot të rënduar (të ftohtë ose të nxehtë).
Në të njëjtën kohë, projekligji parashikon edhe mundësinë e ndarjes së rrjetit të transportimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike nga DEH si dhe mundësinë e pjesëmarrjes së privatëve në rrjetin e transportimit.
Gjithashtu, parashikohen ndryshime edhe në llogaritë e energjisë elektrike dhe të gazit për ngrohje, në të cilat do të përfshihen, detyrimisht, edhe të dhënat mbi emetimet.

Nuk ka komente:

Posto një koment