e diel, 6 mars 2011

Shqipëri, 3 milion euro për kthimin e emigrantëve



Pasojat e krizës ekonomike kanë filluar të ndjehen dukshëm edhe në Shqipëri, ku muajt e fundit është rritur numri i emigrantëve të kthyer. Nevojat e tyre për mbështetje financiare dhe sociale janë tepër imediate, ndaj dhe për këtë qëllim, Kuvendi i Shqipërisë është detyruar të bëjë disa ndryshime në projektligjin për “Emigrimin e shtetasve shqiptarë për motive punësimi”, i cili në kushtet e sotme, duhet thënë se nuk disponon një titull që i përputhet sa duhet realitetit, pasi aktualisht, pjesa më e madhe e shtetasve shqiptarë po kthehen në vendlindjet e tyre dhe nuk po emigrojnë.
Gjithësesi, ndryshimet synojnë të ofrojnë mbështetje tek emigrantët e kthyer dhe ofrimin ndaj tyre të shërbimeve të reja integruese. Garancitë, për të gjitha këto, i ka dhënë vetë Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera, i cili gjatë diskutimit në seancën përkatëse plenare, tha se gjatë vitit 2011 janë vënë në dispozicion 3 milion euro për lehtësimin e kthimit të emigrantëve shqiptarë në atdhe dhe krijimit të kushteve për transport, ushqim dhe medikamente.
Gjithashtu, do të bëhet e mundur lidhja e procesit të regjistrimit të shtetasve shqiptarë të kthyer në drejtoritë rajonale dhe zyrat vendore të punësimit me shërbimet e informimit dhe referimit që ata do të marrin në sportelet e migracionit. Madje, sportelet e migracionit do të shërbejnë si pike kyçe, në nivel vendor, për të kryer vlerësimin e nevojave të personave të kthyer, për t’u dhënë atyre informacionin që u nevojitet, si dhe për t’i referuar këta persona në institucione që japin shërbimet përkatëse për punësim, strehim, arsimim dhe shërbime shëndetësore.
Në projektligj parashikohet dhe krijimi i “Regjistrit për Emigrantët”, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, i cili bën të mundur krijimin e një banke të dhënash për shtetasit shqiptarë të kthyer dhe të regjistruar pranë sporteleve të migracionit.

Nuk ka komente:

Posto një koment