e diel, 6 mars 2011

Propozimet e Avokatit të Popullit për lejet e qëndrimit të emigrantëve



Shkurtimi i kohës minimale të punës dhe rritja e numrit të ensimave që mund të blihen, për plotësimin e numrit të domosdoshëm, janë disa nga propozimet që ka paraqitur në raportin e tij, drejtuar qeverisë, Avokati i Popullit i Greqisë. Raporti është hartuar me qëllim që Autoriteti i Pavarur të kontribuojë në përpjekjen për zbutjen e krizës me emigrantët e grevës së urisë.
Gjithashtu, Avokati propozon vënien në funksionim të procedurës së vërtetimit të pamundësisë për punë, e cila do të ofrojë tek emigrantët të drejtën e rinovimit të lejes së qëndrimit në rast të mos plotësimit të kohës dhe ditëve të siguruara të punës. Po kështu, kërkohet edhe institucionalizimi i një sistemi më elastik të ndryshimit të llojit të punës dhe të titullit të lejes së qëndrimit, gjë e cila do të ofrojë mundësinë e ndryshimit të punëdhënësit, specialitetit, lejes së qëndrimit dhe zonës të punës
Avokati i Popullit thekson nevojën e rinovimit të lejes së qëndrimit, sipas disa kushteve, edhe për shtetasin e huaj të cilët, gjatë periudhës së rinovimit të lejes së tyre të qëndrimit, ishin të regjistruar në listën e të papunëve të OAED dhe merrnin asistencë sociale. Në të njëjtën kohë, propozohet edhe ulja e shumës së të ardhurave familjare, që parashikohet për rinovimin e lejes së qëndrimit për personat nën ngarkim të familjes.
Për sa i përket njohjes të së drejtës së qëndrimit të shtetasve të huaj, të cilët ndodhen në vend për një periudhë të gjatë kohore dhe janë tashmë të integruar në shoqërinë greke, Avokati i Popullit vë në dukje se vazhdojnë të ekzistojnë boshllëqe në kuadrin ligjor aktual, pavarësisht ndryshimeve më të fundit në ligjin për emigracionin.
Çështja, shtoi Autoriteti i Pavarur, përqëndrohet kryesisht tek shtetasit e huaj që ofrojnë punë të pasiguruar, qoftë për shkak të faktit se janë privuar nga ligjshmëria, ashtu edhe për faktin tjetër se nuk kishin mundësi të pajiseshin me leje qëndrimi në vend, më së shumti për arsye tipike. Avokati i Popullit shprehet se shteti duhet të përcaktojë kushtet dhe procedurat për garantimin e qëndrimit dhe punës së ligjshme për këtë kategori qytetarësh të tij.
Në lidhje me çështjen që është krijuar, me qëllim që t’u njihet statusi i qëndrimit të ligjshëm emigrantëve të paligjshëm që kanë shumë vite që jetojnë në Greqi, sipas Autoritetit të Pavarur, do të duhet të marren parasysh kritere, sikurse integrimi i tyre në jetën ekonomike të vendit (psh. të dëshmojnë një marrëdhënie reale të punës), koha e qëndrimit të tyre në vend, si dhe ekzistenca e lidhjeve të veçanta me të (psh. lindja e fëmijëve, studimi i vetë atyre ose fëmijëve në shkollë greke).
Avokati i Popullit thekson se garantimi i qëndrimit të ligjshëm të personave të cilët, në mënyrë të vërtetuar, janë tashmë integruar në jetën ekonomike dhe sociale të vendit dhe kanë krijuar lidhje me të, për shkak të qëndrimit të tyre afatgjatë, ndihmon në menaxhimin e fenomenit të politikës së emigracionit dhe të qëndrimit të paligjshëm.
Në fund, Autoriteti i Pavarur shprehet se me marrjen e masave të propozuara prej tij do të garantohet interesi publik, do të ruhen themelet e të drejtave të njeriut, do të zbuten konfliktet shoqërore dhe do të dobësohen shfaqje me karakter ksenofob dhe racist.

Nuk ka komente:

Posto një koment