e diel, 1 maj 2011

Britanikët: Video Meta-Prifti, më origjinale nuk bëhet!



Pas një debati të gjatë dhe replikave të shumta se videoja e publikuar me dialogët korruptues Meta-Pritfti ishte një montazh i sajuar nga ish-ministri Prifti dhe ndihmësit e tij në PS e Top-Channel, nëpërmjet emisionit “Fiks Fare”, disa ditë më parë ka ardhur edhe përgjigjja zyrtare e Laboratorëve të Kriminalistikës në Londër të Anglisë. Prokuroria bëri kërkesën në drejtësinë britanike në muajin Mars, pasi eksperti amerikan i FBI-së deklaronte se video ishte origjinale, por ai nuk mund të përcaktonte dot nëse zëri në këtë video ishte i Ilir Metës apo i montuar.
Meta vetë, nëpërmjet avokatëve, pretendoi se zëri nuk përputhej me lëvizjen e buzëve, kurse eksperti amerikan tha se kishte shumë zhurmë që pengonte analizën konkrete. Për këtë qëllim organi i akuzës i kërkoi ndihmë ekspertëve britanikë që njihen për pajisjet moderne në këtë fushë. Meta reagoi sërish duke deklaruar se prokuroria po vepron politikisht, por organi i akuzës nuk u tërhoq dhe më në fund ka marrë përgjigjen.
“Në video nuk ka asnjë ndërhyrje dhe është autentike, e paprekur, e padëmtuar dhe me zërat e personave që janë në të”, thuhet në përgjigjen shkencore të autoriteteve angleze ndaj Prokurorisë së Përgjithshme.
Lajmin e bënë të ditur burime nga organi i akuzës, ndërsa tashmë priten hapat e mëtejshëm të procedimit të grupit hetimor për këtë rast.

Nuk ka komente:

Posto një koment