e diel, 1 maj 2011

Ndahet nga jeta Ernesto Sabato, kishte edhe origjinë shqiptare



Shkrimtari argjentinas Ernesto Sabato vdiq dje, në moshën 99 vjeçare, në shtëpinë e tij në Santo Lugar, në provincën e Buenos Aires, sipas njoftimit për shtyp nga bashkëshortja e tij, Elvira Gonzales Franga.
Sabato lindi më 24 Qershor të vitit 1911 në Rohas të krahinën e Buenos Aires. Babai i tij ishte italian ndërsa nëna italoshqiptare. Studioi Fizikë dhe Filosofi në Universitetin La Plata por pas luftës së Dytë Botërore ai iu përkushtua shkrimit dhe më vonë dashurisë tjetër të madhe, pikturës. Në 1984, u nderua me çmimin Servantes, çmimin më të lartë për veprat letrare në gjuhën Spanjolle.
Po në të njëjtin vit, Sabato mori Presidencën e Komisionit Kombëtar të Personave të Zhdukur (Conadep) dhe rregjistroi krimet e diktaturës nga viti 1976-83 në librin “Kurrë më”. Kjo vepër ishte dhe baza mbi të cilën u zhvillua akuza për gjyqin historik kundër kreut të Juntës ushtarake, në vitin 1985.
Më 1979, shkrimtari u nderua me titullin “Kalorësi i Legjionit të Nderit” në Francë, ku libri i tij “Avvadon Terminator” ishte propozuar si romani më i mirë në gjuhë të huaj.
Veprat e tij më të rëndësishme janë: “Tuneli”, “Njerëzit dhe ingranazhet”, “Një  ekzistencë e komplikuar”, “Shkrimtari dhe shkatërrimi”, “Për heronjtë dhe varret” dhe “Heretizmi”.

Nuk ka komente:

Posto një koment