Befasues është raporti i Autoritetit të Konkurrencës për shërbimet bankare në Shqipëri.
Sipas tij, bankat jo vetëm aplikojnë tarifa të ndryshme për të njëjtin shërbim por nuk i informojnë klientët për ndryshimet që bëjnë për kushtet e punës.
Madje, duke bërë një krahasim me tarifat e shërbimeve bankare në rajon, Autoriteti i Konkurrencës arrin në konkluzionin se brenda të njëjtit Grup Bankar, bankat që operojnë në Shqipëri aplikojnë tarifa më të larta të shërbimeve bankare sesa bankat homologe në rajon, duke vështirësuar përfitimin e këtyre shërbimeve nga klientët dhe mundësinë e ndërrimit të bankës.
Po kështu, Autoriteti i Konkurrencës ka konstatuar se për disa shërbime si për shembull llogaritë rrjedhëse dhe çeqet, bankat aplikojnë komisione në euro dhe jo në monedhën vendase, duke i vënë konsumatorët përballë riskut të kursit të këmbimit. Raporti i Autoritetit të Konkurrencës, i publikuar nga e përditshmja “Mapo”, vëren se nga vlerësimi i treguesve të transparencës, u konstatua se jo të gjitha bankat e nivelit të dytë kanë faqe interneti dhe si rrjedhojë nuk kanë të publikuara kushtet e punës në gjuhën shqipe.
Nuk ka komente:
Posto një koment