e hënë, 21 shkurt 2011

Marston: “Ariu i Argjendtë” i dedikohet Shqipërisë



Kineasti amerikan Joshua Marston dhe ai shqiptar Andamion Murataj u nderuan të shtunën me Ariun e Argjendtë të Berlinales së 61-të për skenarin e filmit “Falja e Gjakut”.

“Fakti që këtë çmim po e ndaj me Andamionin më gëzon veçanërisht. Sepse ai pasqyron më së miri bashkëpunimin e mrekullueshëm mes nesh. Për mua ky i dedikohet Shqipërisë, ndërsa Andamioni ua dedikon shkodranëve, pa të cilët ky skenar nuk do të ishte realizuar”, tha regjisori amerikan Joshua Marston mbas dhënies së çmimit të shtunën në mbrëmje në Berlin.
Filmi, për prodhimin e të cilit, përveç ShBA-së dhe Shqipërisë kanë dhënë ndihmesën edhe Danimarka dhe Italia, trajton pasojat komplekse të gjakmarrjes në Shqipërinë e sotme. Skenari i filmit është ndërtuar në  bazë të intervistave të shumta që dy skenaristët zhvilluan gjatë një udhëtimi njëmujor në Shkodër e rrethinat e saj.
“Arinjtë” më të shumtë në këtë Berlinale, regjia nën drejtimin e aktores Isabella Rossellini ia dha filmit iranian “Nader dhe Simin”. Festivali i 61-të Ndërkombëtar i Filmit në Berlin përfundon sot me ditën e publikut, ku ndër të tjerash do të shfaqet edhe prodhimi gjermano-shqiptar “Shqiptari”. Aktori kryesor i tij, Nik Xheililaj, në këtë Festival u nderua me çmimin promovues “Shooting Star”. Këto dy filma, si dhe “Amnistia” e Bujar Alimanit, bënë që prezantimi i parë i Shqipërisë në Berlinale të konsiderohet një sukses i vërtetë.

Nuk ka komente:

Posto një koment