Burime zyrtare nga prokuroria e Tiranës bëjnë të ditur se të gjashtë drejtuesit e gardës janë marrë përfundimisht në pyetje. Dy prej tyre janë arrestuar kurse katër janë lënë në gjendje të lirë për tu thirrur kur të shihet e nevojshme nga prokuorët. Dje u ndalua Agim Llupi ndërsa sot është arrestuar Alfred Ahmetcenaj. Vlen të theksohet se deri dje, policia kishte refuzuar të zbatonte urdhërin e arrestit për oficerët e gardës. Më poshtë deklarata e prokurorisë.
Në datën 08.02.2011, ora 18.00’, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u dorëzuan shtetasit Ndrea Prendi, Dashamir Shehi, Alfred Ahmetcenaj, Aleksandër Deda, Fatos Bushati dhe Altin Kollçinaku, efektivë të Gardës së Republikës. Menjëherë mbas dorëzimit, policia gjyqësore e D.P.Q.Tiranë, ka zbatuar për të gjashtë personat, urdhërat e prokurorit, të datës 22.01.2011, për ndalimin e tyre, duke i vënë ata në dispozicion të prokurorit.
Të gjashtë të ndaluarit iu nënshtruan marrjes në pyetje nga prokurorë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe kjo procedurë vazhdoi deri në orët e para të mëngjezit të datës 09.02.2011. Në përfundim të kësaj procedure, si dhe në vlerësim të rrethanave të deritanishme të hetimit, nga ana e prokurorëve u urdhërua lirimi i menjëhershëm për shtetasit Ndrea Prendi, Dashamir Shehi, Aleksandër Deda, Fatos Bushati dhe Altin Kollçinaku.
Për shtetasin Alfred Ahmetcenaj, me detyrë komandant i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, si dhe shtetasin Agim Llupo (i ndaluar një ditë më parë), me detyrë shef i shtabit të kësaj njësie, do të procedohet me paraqitjen në Gjykatë të kërkesës për vleftësimin e ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit, si persona të dyshuar për kryerjen në bashkëpunim të veprës penale të parashikuar nga neni 79, gërmat “dh” dhe “ë” të Kodit Penal.
Nuk ka komente:
Posto një koment