e enjte, 17 shkurt 2011

Pagat: Shqiptarët, të parafundit në Ballkan



Çdo vit, pavarësisht nga vështirësitë ekonomike, qeveria shqiptare ka rritur pagat për punonjësit e administratës, në të njëjtën kohë me pensionet. Një gjë të tillë kryeministri e ka shpallur paraprakisht edhe për këtë vit, që do të ketë vulën e një “viti elektoral” dhe, për këtë arsye do të kërkohet me çdo kusht të mbahet premtimi për rritje nominale.
Megjithatë, në nivelin e pagave mesatare, në Ballkanin Perëndimor vendi ynë mbetet në postin e parafundit, duke kaluar vetëm Kosovën. Sipas statistikave kombëtare të secilit vend, paga mesatare mujore në Kosovë nuk e kalon shifrën 250 euro, ndërsa një pagë e tillë në Serbi është rreth 350 euro, 340 euro në Maqedoni, rreth 300 euro në Shqipëri, 515 euro në Mal të Zi, mbi 700 euro në Kroaci dhe 1.000 euro në Slloveni, që është i vetmi vend i rajonit, tani për tani, anëtar i Bashkimit Evropian.
Por, çmimet e artikujve të konsumit të përditshëm nuk janë më të ulëta në Shqipëri apo në Kosovë, krahasuar me rajonin. Prodhimi bujqësor dhe ai i sendeve të tjera ushqimore të përpunuara ka ardhur në ulje, çka është kombinuar me rritjen në tregjet ndërkombëtare, duke sjellë një rënie reale të të ardhurave të shqiptarëve. Një kg patate shitet pak a shumë njësoj si në Shqipëri, ashtu edhe në Kroaci, ndërkohë që çmimi i saj është më i ulët në Kosovë, Serbi apo Maqedoni, sa për të marrë një shembull.
Fqinjët tanë kanë më shumë mundësi blerjeje se sa shqiptarët, pikërisht për shkak të këtij disniveli në të ardhurat e në çmimet e tregut. Ndryshe nga vendet e tjera, çmimet më të larta aktualisht në treg tek ne i përkasin momentalisht pjesës më të rëndësishme të shportës së ushqimeve ditore të familjeve: drithërave, sheqerit, vajit ushqimor etj.
Kjo e bën krizën për Shqipërinë shumë më të prekshme, pasi ne jemi një vend neto importues ushqimor dhe në nivelin më të lartë, krahasuar me të gjitha vendet e rajonit. Veçanërisht për produktet e mësipërme, varësia nga importi është 100% për vajin e sheqerin dhe rreth 50% për drithërat në total.
Shqipëria u përket vendeve ku shpenzimet familjare për ushqim mesatarisht janë më të larta se të të gjitha vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit. Në një studim të Bankës Botërore vlerësohet që 42.6% e të ardhurave të familjes në Shqipëri përdoret për ushqim (më e larta në vendet e Ballkanit).

Nuk ka komente:

Posto një koment