e premte, 11 shkurt 2011

Presidenti Sarkozi u ndalon ministrave pushimet jashtë vendit



Sarkozi ka kritikuar dy rastet e fundit, të ndodhura me Kryeministrin dhe Ministren e Jashtme, të cilët kanë pranuar udhëtime dhe pushime falas në Egjipt dhe Tunizi, para se të shpërthenin revoltat popullore në të dy vendet. “Tani e tutje, anëtarët e qeverisë duhet të preferojnë Francën për pushimet e tyre”,- është shprehur Sarkozi me anë të një deklarate. Tashmë, ftesat e jashtëm do të autorizohen nga kryeministri dhe sektori diplomatik për të parë nëse ato janë në përputhje me politikën e jashtme të Francës.
Kryeministri, Francois Fillon ka pranuar se ka kaluar pushime familjare për vitin e ri në Nil, të paguara nga Presidenti i Egjiptit, Hosni Mubarak. Kryeministri, ka shpjeguar se ai së bashkë me familjen kanë përfituar pushime falas nga 26 dhjetori deri më 2 janar në një rezort pranë lumit Nil. Kurse, Ministrja e Jashtme, Michele Alliot-Marie është duke u përballur me thirrjet për të dhënë dorëheqje, pasi ka pranuar se ka përdorur një aeroplan në pronësi të një biznesmeni tunizian për të udhëtuar për në Tunizi.
Biznesmeni dyshohet të ketë lidhje me regjimin diktatorial, të presidentit, Ben Ali. Alliot-Marie ka pranuar se në dhjetor ka udhëtuar gjatë dhjetorit për në Tunizi me një aeroplan privat, në pronësi të biznesmeni por ajo kundërshton që biznesmeni të jetë i afër me regjimin e Ben Ali-ut. Ajo ka shprehur pendesë por ka refuzuar thirrjet e opozitës për dorëheqje.
Vendet e Afrikës veriore janë vende të pëlqyera për pushimet dimërore nga elita politike Franceze. Sarkozy së bashku me Carla Bruni kaluan pushimet e fund vitit në Marok, në rezidencën mbretërore të Mbretit Mohammed i VI.
Franca refuzoi emigrimin e Ben Ali-ut në Francë, ndërsa javën e fundit Sarkozi ka bërë thirrje për tranzicion politik në Egjipt dhe ka rritur presionin për largimin e Mubarak-ut.

Nuk ka komente:

Posto një koment