e premte, 18 mars 2011

Falas tekstet shkollore për fëmijët e emigrantëve



Fëmijët e emigrantëve shqiptarë janë një prej katër kategorive të nxënësve të arsimit të detyruar që do t’i përfitojnë falas tekstet shkollore. Lajmi bëhet i ditur për mediat shqiptare nga Këshilli i Ministrave, i cili ka marrë dje vendimin, duke bërë disa shtesa dhe një ndryshim në vendimin nr. 107, datë 10.2.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për botimin, shtypjen, shpërndarjen dhe shitjen e teksteve shkollore të sistemit të arsimit parauniversitar”.
Në bazë të ndryshimeve, Shtëpia Botuese e Librit Universitar (SHBLU) dhe shtëpi të tjera botuese ngarkohen me botimin, shtypjen dhe shpërndarjen e teksteve shkollore të pakicave kombëtare, të klasave I deri IX, dhe të teksteve të arsimit profesional.
Vendimi i Këshillit të Ministrave i referohet teksteve shkollore të pakicave kombëtare, të fëmijëve të familjeve të emigrantëve që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të fëmijëve romë dhe nxënësve që gëzojnë statusin e të verbrit.
Sikurse bëhet e ditur, për tekstet shkollore të pakicave kombëtare, nga klasa I deri IX, dhe për tekstet shkollore të fëmijëve të familjeve të emigrantëve që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, qeveria ka vendosur që çmimi i blerjes të mbulohet në masën 100%, me fondet e Ministrisë së Arsimit, ndërkohë që këto tekste shkollore do të jenë pronë e shkollës dhe afati i përdorimit të tyre mund të variojë nga dy deri në tre vjet.
Gjithashtu, edhe për tekstet shkollore të fëmijëve romë, nga klasa I deri IX, çmimi i blerjes së tyre do të mbulohet 100% nga buxheti i Ministrisë së Arsimit, ndërsa drejtoritë përkatëse të shkollave, ku mësojnë nxënës romë, duhet të dorëzojnë në DAR/ZA-të përkatëse, brenda muajit mars të çdo viti, listën e nxënësve të kësaj kategorie.
Ndërsa për nxënësit që gëzojnë statusin e të verbrit, të cilët mësojnë në klasat I deri IX, ata do të pajisen me tekste shkollore të transkriptuara në shkrimin brail, të regjistruara në audio ose në shkrim të zmadhuar.

Nuk ka komente:

Posto një koment