e premte, 1 prill 2011

Ekskluzive: Berisha dhe Rama arrijnë në marrëveshjen e shekullit!



Atë që ka vite që nuk po e realizojnë të dërguarit nga Evropa dhe SHBA-ja, u desh vetëm një telefonatë, që ta realizonte.
Sipas informacioneve ekskluzive të korrespondentit tonë në Tiranë, dje vonë në mbrëmje, kryebashkiaku Rama dhe njëherësh edhe kryesocialist, mori një telefonatë të çuditshme. Në anën tjetër të linjës ishte rivali i tij dhe deri dje, rival i betuar në betejën politike shqiptare, Sali Berisha.
Berisha, i entuziazmuar që po i jepej mundësia të fliste me Ramën, pa ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, nuk u zgjat dhe i bëri ish-armikut të tij, ofertën që e la Ramën me gojën hapur.
Shefi i ekzekutivit shqiptar, as më shumë dhe as më pak,sikurse na njoftojnë nga Tirana, i ka propozuar kryebashkiakut dhe kryesocialistit Rama, shkëmbimin e posteve që mbajnë deri më sot. Kështu, Berisha i ka ofruar Ramës postin e kryeministrit, mjafton që Rama të pranojë të lerë postin në Bashki dhe të shkojë në rezidencën qeveritare.
Kërkesa të tjera të vogla që pasuan propozimin e Berishës, nuk pritet të prishin “marrëveshjen e shekullit”, siç e kanë quajtur analistët. Kështu, kryeminsitri vuri si kusht që, telat me gjemba që rrethojnë kryeministrinë, bashkë me tullumbacet e kuqe që vendosi atje në 14 Shkurt, ditën e festës së Shën Valentinit, të vendosen tashmë përreth Bashkisë.
Gjithashtu, Berisha ka kërkuar nga Rama, edhe ndihmën e tij për të lyer rezidencën e Bashkisë me ngjyrë blu.
Rama, sipas gjasave, e ka pranuar pa hezitim ofertën e Berishës dhe e ka ftuar atë për një makiato, për të sheshuar njëherë e përgjithmonë divergjencat e mëparëshme.
Ai vetë, nga ana e tij, të vetmen kërkesë që ka paturë ka qenë, të lejojë garda e republikës brigadat e Bashkisë, të lyejnë rezidencën qeveritare me ngjyrat e ylberit.
P.S.: Stafi i Albanews.gr, ju uron gëzuar 1 Prillin!

Nuk ka komente:

Posto një koment