e enjte, 10 mars 2011

Franca “injoron” Gaddafin, njeh Këshillin Kombëtar të Libisë


Ish ministri i Drejtësisë të Libisë, Mustafa Mohamad Abdelxhalil, i cili do të kryesojë Këshillin Kombëtar.


Zyra e presidentit francez, Nikola Sarkozi, tha se Franca ka njohur Këshillin Kombëtar të kryengritësve libianë si përfaqësues legjitim të popullit të Libisë. Parisi është bërë kryeqyteti i parë që ka ndërmarrë një hap të tillë.
Presidenca franceze tha se do të dërgojë ambasadorin e saj në Benghaz dhe do të pranojë të dërguarin e Libisë në Paris.
Njoftimi vjen pas takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian në Bruksel. Ndërkohë, ministrat e Mbrojtjes të 28 vendeve anëtare të NATO-s po zhvillojnë bisedime të ndara mbi opsionet ushtarake në Libi, përfshirë dhe zonën e ndalim fluturimit.
Rusia, njëra nga furnizueset kryesore me armë të regjimit të Gadafit, sot ka ndaluar të gjitha shitjet e armëve në Libi, duke pezulluar çdo kontratë.
Megjithatë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se ndërhyrja ushtarake në Libi do të ishte e papranueshme dhe se diskutimet për zonën e ndalim fluturimit janë të parakohshme.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se Libia ka rrëshqitur në “luftë civile”.

Nuk ka komente:

Posto një koment