Të gjithë fëmijët e brezit të dytë të emigrantëve që lindën në Greqi, ndjekin ose kanë ndjekur shkollën greke, do të trajtohen me të njëjtën mënyrë sikurse edhe të huajt e rritur, të cilët u legalizuan me ligjin e fundit të vitit 2005. E gjithë kjo, nëse përfundimisht Asambleja e Këshillit të Shtetit legalizon vendimin e Seksionit të Katërt të tij.
Praktikisht kjo do të thoshte se 2500 fëmijë, për të cilët janë dorëzuar kërkesa për dhënien e nënshtetësisë greke, 25 000 fëmijë të cilët kanë lindur pas vitit 2004 nga nëna të huaja si dhe disa mijëra fëmijë të tjerë që janë në moshë më të madhe apo janë rritur, do të trajtohen sikurse erdhën sot në Greqi! E gjithë kjo pasi arsimimi grek, depërtimi në qarqet e shoqërisë greke, në bazë të vendimit të Seksionit të Katërt të Këshillit të Shtetit, nuk konsiderohen të mjaftueshëm për të dëshmuar integrimin e tyre në shoqërinë greke.




















