e hënë, 7 mars 2011

Nis procesi gjyqësor kundër ish presidentit Chirac



Ish-presidenti francez, Jacques Chirac do të jetë presidenti i parë francez që del para drejtësisë. Procesi kundër tij fillon këtë të hënë.
78- vjeçari Chirac akuzohet se në kohën e ushtrimit të detyrës si kryetar bashkie i Parisit nga viti 1977 deri në 1995-n i ka dhënë punë miqve të tij, të cilët nuk punonin për bashkinë.
Deri në vitin 2007 Chirac mbrohej nga ndjekja penale për shkak të postit të presidentit.
Pasi bashkia e Parisit e tërhoqi akuzën kundrejt gjobës, pritet një dënim i butë nga gjykata.

Bashkia e Athinës e mbytur mes luksit dhe borxheve!



Një raport përvëlues ka publikuar kryetari i Bashkisë së Athinës Jorgos Kaminis. Me lugë floriri duket se hanin punonjësit e bashkisë, përderisa u zbulua se kishin shpenzuar plot 1 milion euro nëpër takimet, veprimtaritë etj., në kuadër të marrëdhënieve publike dhe rreth 182.000 euro për blerje dhuratash, midis të cilave edhe mansheta, rripa, iPhone, laptop dhe kamera. Të gjitha këto shpenzime vetëm në radiostacionin e bashkisë “9, 84 fm” për vitin 2010.

“Apel dramatik” i qeverisë për grevistët e urisë



“Apel dramatik” drejtuar emigrantëve grevistë të urisë në pallatin “Ipatia”, të ndalojnë grevën dhe të lejojnë kurimin e tyre bëri sot qeveria greke, duke përjashtuar njëkohësisht mundësinë e legalizimit të tyre.
Burime nga ministria e Brendëshme, ftuan sot grevistët e urisë, për të shkuar të gjithë në spital, duke mbrojtur kështu shëndetin e tyre, dhe të pranojnë propozimin e qeverisë në të cilin “nuk është e mundur të përmblidhet edhe legalizimi i tyre”, komentuan ata.

e diel, 6 mars 2011

PD-LSI, rifreskojnë “martesën” politike



Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama theksoi se negociatat për zgjedhjet lokale me Partinë Demokratike janë konstruktive dhe se do të finalizohen në një kohë shumë të shkurtër. Përmes një konference për shtyp, zyrtari i LSI-së tha se “jemi në një proces negociatash diskutimi dhe konsultimesh me PD-në për të konkretizuar koalicionin edhe në këtë garë zgjedhore”.

Propozimet e Avokatit të Popullit për lejet e qëndrimit të emigrantëve



Shkurtimi i kohës minimale të punës dhe rritja e numrit të ensimave që mund të blihen, për plotësimin e numrit të domosdoshëm, janë disa nga propozimet që ka paraqitur në raportin e tij, drejtuar qeverisë, Avokati i Popullit i Greqisë. Raporti është hartuar me qëllim që Autoriteti i Pavarur të kontribuojë në përpjekjen për zbutjen e krizës me emigrantët e grevës së urisë.

Shqipëri, 3 milion euro për kthimin e emigrantëve



Pasojat e krizës ekonomike kanë filluar të ndjehen dukshëm edhe në Shqipëri, ku muajt e fundit është rritur numri i emigrantëve të kthyer. Nevojat e tyre për mbështetje financiare dhe sociale janë tepër imediate, ndaj dhe për këtë qëllim, Kuvendi i Shqipërisë është detyruar të bëjë disa ndryshime në projektligjin për “Emigrimin e shtetasve shqiptarë për motive punësimi”, i cili në kushtet e sotme, duhet thënë se nuk disponon një titull që i përputhet sa duhet realitetit, pasi aktualisht, pjesa më e madhe e shtetasve shqiptarë po kthehen në vendlindjet e tyre dhe nuk po emigrojnë.

“Pika që su bie se nga gratë rrojnë”, familjeve shqiptare në Greqi



Kriza po i kthen gratë e imigracionit shqiptar në “shtylla” të shtëpisë. Duke punuar si punonjëse shtëpiake, për pjesën dërrmuese të familjeve shqiptare ato janë i vetmi krahë në kohë krizash.
Ngurron të prezantohet me emrin e saj të plotë, por jo edhe të flasë për “peripecinë” e përditshme të punës së saj si ndihmëse shtëpiake këtu e 15 vjet në Greqi. Tek e fundit anonime mbetet pjesa dërrmuese e grave të imigracionit, që pa siguracion, punojnë si ndihmëse nëpër shtëpitë e vendasve, pa u përfshirë qoftë edhe në një statistikë të saktë të kontributit të tyre. “Për punën time të përditshme marr dy autobusa që të arrij në Kifisia. Atje punoj si ndihmëse në një shtëpi, si shtëpiake domëthënë”, thotë Eva dhe menjëherë sqaron indirekt pse nuk thotë dhe mbiemrin e saj. “Kam qenë arsimtare në Shqipëri. Por tashmë e kam harruar çdo të thotë të jesh arsimtare, njeri me shkollë. Se puna ime e përditshme është mes detergjenteve. Por ç`të bëj. Im shoq nuk punon. Ndërtimi në Greqi nuk ka më punë. Kam 3 fëmijë. Djali i madh ka mbaruar shkollën e lartë, por është pa punë”.

e premte, 25 shkurt 2011

Nis së shpejti dialogu Prishtinë- Beograd



Zëvendëskryeministrja në qeverinë e re të Kosovës, Edita Tahiri, është emëruar të udhëheqë delegacionin e Kosovës në dialogun me Serbinë që do të lehtësohet nga Bashkimi Evropian.
Qeveria e Kosovës tha se bisedimet me Serbinë do të zhvillohen si dy shtete të pavarura dhe sovrane, ashtu si me të gjitha shtetet tjera fqinje. Sipas Prishtinës zyrtare, dialogu do të përqëndrohet në zgjidhjen e problemeve praktike, në dobi të qytetarëve të të dyja vendeve.Bisedimet e para pas pavarësisë me palën serbe, sipas zyrtarëve kosovarë, janë vlerat dhe standardet evropiane.

Ministri i Jashtëm i Libisë mohon ekzistencën e llogarive bankare të Kadafit



Ministri ι Jashtme libian mohoi ditën e enjte ekzistencën e llogarive bankare në Zvicër apo në ndonjë vend tjetër në botë, të udhëheqësit libian Muammar Kadafi.
“Kërkojmë nga Zvicra të faktojë se vëllai i udhëheqësit tonë ka depozita bankare në bankat e saj ose në ndonjë bankë tjetër në botë,” tha në një deklaratë për shtyp ministri i Jashtëm i Libisë i cili iu rezervua të drejtave kushtetuese të vendit të tij kundër Qeverisë Zvicerane, të cilën e akuzoi për armiqësi ndaj Libisë dhe udhëheqësit të saj Muamar Kadafi.

Pushimet në Tunizi, i kushtojnë postin ministres së Jashtme franceze



Brenda fundjavës, pritet të jap dorëheqjen ministrja eJashtme franceze Michèle Alliot-Marie. Kjo u bë e njohur pak më parë nga një burim i besuar nga qeveria Sarkozi. Zonja Marie pati shkaktuar shqetësime serioze në qeverinë franceze, pas zbulimit të faktit se pati kaluar pushimet e saj dimërore, e ndihmuar nga ish-presidenti tunizian Ben Ali.

Të pushkatojmë të pastrehët, propozon kryebashkiaku i Vladimir Putin!


Kryebashkiaku i qytetit Cita, një qytet në Rusi me 300.000 banorë, bëri bujë të madhe sot pasi deklaroi se “i vjen keq që nuk mund të pushkatojë të pastrehët, një problem që rritet vazhdimisht në vend dhe që autoritet vazhdojnë ta shohin me indiferentizëm.
Pas një pyetjeje që iu bë nga deputetë të zonës për masat që mendonte të merrte për numrin në shtim të të pastrehëve në Cita, Kryebashkiaku Anatoli Milahef u përgjigj: “për fat të keq nuk kemi mundësinë të pushkatojmë të pastrehët dhe as mundësin penale për ta aritur këtë”.

Ekologët e Gjelbër i paraqitën qeverisë alternativën e tyre për emigrantët



Një memorandum me propozimet e tyre, përsa i përket daljes nga greva e urisë të 287 emigrantëve të ngujuar në ndërtesën “Ipatia” në Athinë, i dorëzuan sot Ekologët e Gjelbër grekë, minstrit të Brendshëm Jannis Ragusis.
Një përfaqësi e Ekologëve, gjatë një takimi me ministrin Ragusi, i kërkoi atij:

Ata që në pushtet mbahen me dhunë, nga dhuna do vdesin



Nga, akademi, Rexhep Qosja
Shteti shqiptar vazhdon të vrasë qytetarët e vet; dhe vazhdon t'i vrasë me fjalë dhe me armë. Përvoja historike ka dëshmuar se vrasjeve shtetërore me armë po thuaj gjithmonë u paravijnë vrasjet shtetërore me fjalë. Në Kosovë, gjithmonë, para se të na vrisnin me armë shteti serb dhe shteti jugosllav, na vrisnin me fjalë politikanët dhe shtetarët serbë. Është e gjatë, shumë e gjatë, vrasja shtetërore me fjalë në jetën e shqiptarëve: e gjatë sa është e gjatë jeta e shtetit shqiptar; e gjatë sa janë të gjata pushtimet e pushtuesve në historinë e shqiptarëve. 

e mërkurë, 23 shkurt 2011

Shkon në 1000 numri i të vrarëve në Libi



Pothuajse 1.000 veta kanë humbur jetën në Libi, sipas Ministrit të Jashtëm Italian Franko Fratini.
“Nuk kemi detaje të plota për numrin e njerëzve që janë vrarë, por besojmë se vleresimet që bëjnë fjalë për 1.000 të vdekur janë të besueshme”, tha Franko Fratini për gazetarët italian në Romë.
Fratini gjithashtu tha se ajo ç’ka kuptohet nga referencat e ambasadës italiane, rajoni lindor i Libisë, Cyrenaica, nuk është më nën kontrollin e Kadafit.

Kredi për bizneset e vogla dhe shumë të vogla



Kredi deri në 100.000 euro për bizneset e vogla dhe shumë të vogla për investimin dhe shtrirjen e aktivitetit të tyre, me këste që fillojnë nën 3%, do të jepen nga dita e Mërkurë 23 Shkurt, nga Banka Kombëtare Greke (Ethniki) dhe Alpha Banka.
Kjo nismë realizohet në kuadër të programit të parë (nga të tre programet) të inisiativës “Jeremie” që do të nisë të zbatohet në Greqi.
Programet u prezantuan nga ministri Rajonal Mihalis Hrisohoidhis dhe Këshilltari i Fondit Europian të Investimeve Riçard Peli.

Zbardhet raporti special i Këshillit të Evropës për 21 Janarin



Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut ka publikuar raportin e vëzhgimit që realizoi në Shqipëri në raport me ngjarjet e 21 Janarit. Në këtë dokument thuhet se misioni u krye nga datat 13 deri në 15 shkurt të vitit 2011.
Sakaq, në raportin special thuhet se më 21 Janar, pak pasi demonstruesit u grumbulluan përpara godinës së Kryeministrisë, një dhunë shpërtheu midis një grupi disa qindar njerëzish dhe forcave të policisë që rrethonin godinën. “Ka perceptime të ndryshme dhe konfliktuale me njëri-tjetrin sa i takon asaj që vërtet ka ndodhur dhe se si situate u agravua në një spirale që e nxori jashtë kontrolli. Palët politike ofrojnë perceptime të ndryshme rreth pyetjes së kush e provokoi shpërthimin e dhunës, demonstruesit apo policia. Referuar qeverisë protesta u organizua nga opozita me qëllim marrjen me forcë të qeverisë, ndërsa opozita thotë se ishte policia ajo që provokoi protestuesit ende pa nisur tamam protesta”, thuhet në raportin special.

27 vjet burg nga Tribunali i Hagës për Vlastimir Djordjevic



Tribunali i Hagës shpalli vendimin ndaj ish-Gjeneralit të policisë serbe, Vlastimir Djordjevic , akuzuar për krime ndaj ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë në vitin 1999.
Gjenerali i policisë serbe Vlastimir Djordjevic u shpall fajtor sipas të gjitha pikave të aktakuzës:  për deportim të dhunshëm të shqiptarëve të Kosovës, zhvendosje të dhunshme, vrasje, tranportimin e shqiptarëve të vrarë nga Kosova në Serbi, përndjekje racore të shqiptarëve të Kosovës dhe shkelje të ligjeve dhe traditave të luftës.

Skandal i ri me pensionet në IKA



Shërbimet e Entit të Sigurimeve Shoqërore (IKA) kanë zbuluar në njësinë e IKA-s në Ksanthi sigurime të rreme të punonjësve në biznese të ndryshme, me qëllim që ata (punonjësit) të plotësonin numrin e domosdoshëm të ditëve të siguruara të punës (ensima) për daljen në pension.
Në bazë të raportit të paraqitur nga Drejtoria e Inspektoriatit të Sigurimeve Shoqërore dhe që është bërë publik nga gazeta “Ta Nea”, bëhet fjalë për persona të cilët figuronin si të punësuar para vitit 1986, me qëllim që të plotësonin periudhën e domosdoshme të sigurimit për të marrë pension.

Athinë, vazhdojnë përleshjet pranë Parlamentit



U rigjallërua pak më parë tensioni midis një gupi personash dhe forcave policore në bulevardin Amalias, jashtë godinës së Parlamentit grek.
Pjesa më e madhe e protestuesve janë shpërndarë, por në bulevard ndodhen rreth 50 persona të cilët po provokojnë forcat speciale Mat.
Situata po përshkallëzohet dhe përleshjet po vazhdojnë me hedhje gurësh dhe sendesh të forta në drejtim të forcave policore, të cilat i kanë rrethuar ata pranë stacionit të metro-së në Syntagma.

Qeveria shqiptare, luftë kundër diskriminimit



Një vit pas miratimit të ligjit për mosdiskriminimin në Shqipëri ka ende probleme për disa kategori shoqërore, siç janë gratë, romët dhe personat me aftësi të kufizuar.
Ministri i Punës dhe Shanseve të Barabarta të Shqipërisë, Spiro Ksera tha sot gjatë punimeve te Konferencës Kombëtare “Mosdiskriminimi – Sfidë dhe Angazhim për Shqipërinë” se kërkohet mirëkuptim i gjithë grupeve të interesit në nismat që do ndërmarrë ekzekutivi shqiptar.

Dorëheqjen nga kryesia e partisë dha presidenti i Kosovës



Menjëherë pasi u zgjodh president i vendit, Behgjet Pacolli, ka dhënë dorëheqjen nga të gjitha detyrat partiake në krye të Aleancës Kosova e Re, njofton Zyra për informim e Presidentit të Republikës.
Vendimi për dorëheqje nga partia u mor duke respektuar Kushtetutën e Republikës, sipas së cilës Presidenti i Republikës nuk mund të kryej asnjë funksion tjetër publik.
Ish-presidenti, Fatmir Sejdiu, u detyrua të dorëhiqej nga posti i Presidentit, pikërisht për shkak të mbajtjes së postit të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, gjë të cilën Gjykata Kushtetuese e vlerësoi si shkelje të Kushtetutës.

Kosova për here të parë drejtuese e CEFTA-s



Më 11 mars, në Bruksel, do të mbahet takimi i parë i anëtarëve të CEFTA-s (Central Europian Free Trade Agreement) për vitin 2011, nën kryesimin e Kosovës. Lajmin e ka konfirmuar Flamur Keqa, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
Kosova presidencën e CEFTA-s  e ka marrë nga janari i këtij viti, ndërsa takimi i 11 marsit do të jetë aktiviteti i parë në kuadër të kësaj presidence.
Ende nuk është e qartë nëse kryesimin e këtij institucioni do ta bëjë Kosova vetë apo së bashku me UNMIK-un. Në faqen elektronike të CEFTA-s përmendet si UNMIK/Kosovo.
Vitin e kaluar CEFTA është kryesuar nga Serbia.

Sot jepet dënimi në Hagë për ish zyrtarin e lartë serb



Gjykata për krime lufte në Hagë jep të mërkurën dënimin ndaj Vlastimir Djordjevic, i cili akuzohet për krime lufte në Kosovë.
Djordjevic ishte ndihmës i ministrit të Brendshëm serb, në regjimin e Sllobodan Millosheviçit, gjatë luftës në Kosovë.
Nëse gjendet fajtor ai mund të përballet me burg të përjetshëm.

Ushtarakë të lartë libianë, i bëjnë thirrje ushtrisë të përmbysë Muamar Kadafin



Ushtarakë të lartë të ushtrisë libiane lëshuan një deklaratë me të cilën ftojnë kolegët e tyre dhe ushtarët e forcave të armatosura të vendit, “të solidarizohen me qytetarët”, për të ndjekur nga udhëheqja e Libisë Muamar Kadafin, sikurse njofton rrjeti televiziv Al Arabya.